MPJD-ja: Serbët që kërkuan leje të enjten i refuzuam, ata që u kthyen mbrapsht sot s’kanë kërkuar leje

MPJD-ja: Serbët që kërkuan leje të enjten i refuzuam, ata që u kthyen mbrapsht sot s’kanë kërkuar leje – Lajmet e fundit

Foto ilustruese


 

Ministria e Punëve të Jashtme thotë se të enjten kanë refuzuar kërkesën e një grupi prej 39 pelegrinësh serbë për të ardhur më 12 dhe 13 qershor në Kosovë. Sipas MPJD-së grupi i serbëve që është kthyer mëngjesin e sotëm në Jarinje nuk kanë kërkuar leje nga kjo ministri për tu futur brenda territorit të Kosovës. Të njëjtit s’kanë kërkuar leje as nga Policia e Kosovës për të vizituar Kosovën.

Dy autobusë me 83 udhëtarë në mesin e tyre pelegrinë dhe alpinistë janë kthyer mbrapsht sot në Jarinjë nga policia e  Kosovës.

Por ky grup s’ka kërkuar leje për të hyrë në Kosovë thanë në një përgjigje për Express nga MPJD-ja.

Sipas ministrisë ata të enjten kanë refuzuar kërkesën e një grupi tjetër prej 39 pelegrinësh që kanë kërkuar të futen në Kosovë në datat 12 dhe 13 qershor.

“MPJD ditën e enjte ka refuzuar kërkesën e një grupi prej 39 pelegrinësh për të ardhur me 12-13 qershor në Kosovë. Lidhur me grupet e sotme duhet t’i drejtoheni policisë. Leje për grupet e sotme nuk është kërkuar nga MPJD”, thuhet në përgjigje. 

Gazeta Express ka kontaktuar me policinë e Kosovës lidhur me refuzimin e hyrjes së qytetarëve serbë sot në Jarinje.

Bajram Krasniqi, zëdhënës i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë tha se pelegrinët dhe alpinistët serbë që kanë tentuar të hyjnë në Kosovë mëngjesin e sotëm s’kanë kërkuar leje për vizitë.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit, vendimeve dhe marrëveshjeve që institucionet e vendit i ndërmarrin (ose i kanë ndërmarr). Policia, në Pika të Kalimit Kufitar ndërmerr veprime që janë në përputhje me atë që u tha më lartë. Në rastin konkret, institucionet përkatëse të RKS-së nuk kanë pranuar kërkesë për vizita”, tha Krasniqi. 

MPJD ka kërkuar që qytetarët dhe funksionarët serbë që të respektojnë marrëveshjet dhe të mos provokojnë

“Qytetarëve dhe funksionarëve të Serbisë, të cilët duan të vijnë në Kosovë iu bëjmë thirrje të respektojnë rregullat dhe marrëveshjet dhe të mos provokojnë situatën me veprime të pamatura”, thuhet tutje në përgjigjen e MPJD-së.

Portali në gjuhën serbe, Kossev, raportoi se një dokument që i është lëshuar grupit të vizitorëve, thuhet se autobusi është me 83 pasagjerë  dhe arsyeja e ndalimit për të hyrë në Kosovë është se asnjë kërkesë për vizitë të organizuar nuk është paraqitur.

Një nga organizatorët e Asociacionit të Studentëve të Pavarur nga Beogradi, Marko Jeliq, në një deklaratë për Kossev ka thënë se ata i kanë organizuar tradicionalisht këto vizita nëpër manastire dhe monumente në Kosovë dhe ata (policia) kanë qenë të njohur me procedurat në kufi.

“Ne kemi arritur në orën 3:00 të mëngjesit. Na kanë thënë të presim. Rreth orës 8 në mëngjes, një polic i Kosovës erdhi dhe na tha se na refuzohet hyrja në territorin e Kosovës, sepse s’kemi paraqitur një njoftim për të hyrë. Pastaj, ata na dhanë një copë letre ku shkruhej se ne jemi refuzuar dhe kemi pesë minuta kohë për t’u kthyer mbrapa në Serbi”, tha ai.