MSH-ja paralajmëron licensim të laboratoreve private për testime për COVID-19

MSH-ja paralajmëron licensim të laboratoreve private për testime për COVID-19 – Lajmet e fundit



Image

Shumë shtete të botës kanë filluar hapjen e kufijve të tyre për të huajt, teksa disa vende tjera nuk e kanë parë ende të rrugës një gjë të tillë. E disa prej tyre po kërkojnë nga personat që hyjnë në ato vende të kenë testin negativ të koronavirusit.

Por, ata qytetarë të Kosovës që duan të testohen për nevoja personale apo biznesore, këtë thuajse e kanë të pamundur ta bëjnë sepse në vendin tonë, i vetmi institucion i licensuar për ta bërë testin e koronavirusit është IKSHPK-ja, dhe në bazë të rekomandimeve të fundit nga ky institucion, do të testohen vetëm personat me simptoma të rënda, shkruan Zëri.info.

Për pasojë, shumë qytetarë të Kosovës po hasin në telashe për udhëtime jashtë shtetit drejt vendeve të tjera si Mali i Zi, Zvicra e Austria, të cilat kanë deklaruar se nuk pranojnë të huaj nga disa shtete të caktuara, ku bën pjesë edhe Kosova, pa e pasur testin negativ të COVID-19.

Në lidhje me këtë çështje, “Zëri’ ka kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë. Nga kjo Ministri kanë thënë se testet iu bëhen vetëm atyre personave që udhëtojnë jashtë vendit për mjekim.

“Teste atyre që udhëtojnë jashtë u bëhen vetëm personave që shkojnë për mjekim jashtë vendit dhe shoqëruesve të tyre”, kanë deklaruar ata, duke shtuar se “testimet që i kërkojnë jashtë janë me RT-PCR. Dhe këto teste i bën IKSHPK-ja”.

Ndërsa sa i përket licencimit të laboratorëve apo klinikave private për testim ndaj koronavirusit, pasi që IKSHPK-ja është deklaruar se nuk ka mundësi të bëjë testime në masë, MSH-ja thotë se janë në finalizim të një plani për mundësinë e bërjes së testimeve në institucione private.

“MSH është në finalizim të një Plani të Veprimit për testime dhe pasi të hyjë në fuqi ky plan, do të fillohet edhe me testime serologjike dhe do të shihen mundësitë ligjore, a mund ta bëjnë ketë edhe institucionet private”, kanë potencuar nga MSH-ja për Zërin.

Ndërkaq, është raportuar se disa laboratorë në Kosovë kanë nisur të ofrojnë këtë shërbim (testin për koronavirus) për qytetarët. Nga Ministria e Shëndetësisë janë deklaruar se në Kosovë, deri tani, asnjë institucion privat nuk është i licencuar për këtë gjë dhe se, sipas tyre, do të merren masa ndaj atyre që bëjnë shkelje të ligjit, rrjedhimisht bëjnë testime për koronavirus pa pasur licensë.

“Deri tash, asnjë institucion privat nuk është i licencuar për testime për Covid-19 dhe Inspektorati Shëndetësor do të veprojë ndaj atyre që bëjnë shkelje ligjore”, kanë deklaruar ata.

Bëjmë të ditur se Mali i zi, Austria, Zvicra dhe disa vende të tjera të Evropës kanë paralajmëruar që qytetarët të cilët marrin rrugë për në këto vende të mos pranohen pa testin për koronavirus.

“Hyrja në shtetin e Austrisë nga Republika e Kosovës mund të ndodhë vetëm me anë të dëshmisë së testit, jo më i vjetër se 4 ditë, që rezulton të jetë negativ nga COVID-19 ose me deklarim për vetizolim 14 ditë. Hyrja në Republikën e Austrisë vlen vetëm për personat që kanë vendbanim/lejeqëndrim në Austri. Kalimi transit nëpërmjet Austrisë është i mundur vetëm nëse nuk ndalohet në territorin e Republikës së Austrisë”, thuhet në njoftimin e qeverisë austriake.

Kosova është futur në “listën e zezë” të disa vendeve pas rritjes se numrit të të infektuarve në vend javëve të fundit./Zëri/