Mustafa godet Haradinajn: LDK-ja e gatshme të bëjë ndryshime për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës

Mustafa godet Haradinajn: LDK-ja e gatshme të bëjë ndryshime për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës – Lajmet e fundit



Në një emision televiziv mbrëmë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka folur rreth dialogut me Serbinë si dhe raportet ndërmjet AAK-së dhe kryeministrit, Avdullah Hoti, sa i përket kësaj teme.

Haradinaj ka deklaruar se nuk është informuar nga Hoti se çka është biseduar në takim me Vuçiqin, por këtë e ka marrë vesh nga burime të tij. Ai po ashtu ka thënë se nëse ndodhë që në takim me Serbinë të takohen dy përfaqësues nga Kosovë njëri nga ta do të jetë nga AAK-ja.

Haradinaj ka thënë se duhet të jetë pjesë e dialogut në mënyrë që t’i qëndroj prapa marrëveshjes me Serbinë.

Sot kreu i LDK-së Isa Mustafa ka bërë thirrje për kujdes, sidomos që për strategjinë e Kosovës në dialog të mos merr vesh Serbia përmes debateve në studiot televizive, si dhe përplasjeve të brendshme. “Kjo në start e dëmton pozicionin dialogues të kryeministrit tone”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e tij në “Facevook”. Mustafa kërkon respekt institucional ndaj Qeversië edhe nga partnerët brenda Qeverisë.

“Proceset politike me të cilat po ballafaqohet vendi kërkojnë bashkëpunim dhe besim reciprok të të gjithë akterëve. Qeverisja e vendit me prioritet; luftimi i Pandemisë, rimëkëmbja ekonomike sikurse edhe dialogu për njohje reciproke, kërkon respekt institucional ndaj Qeverisë, por gjithsesi edhe brenda Qeverisë. Një politikë qeverisëse dhe një zë qeverisës i bashkërenditur me kryeministrin”, ka thënë ai.

Mustafa ka theksuar se LDK-ja do të kërkojë që Qeveria të jetë e gatshme të bëjë rikonfigurime dhe ndryshime në çdo kohë për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe disiplinën qeverisëse, të cilët sipas tij ndjekin agjenda personale apo partiake, apo për të cilët vlerësohet se e shpenzojnë pa meritë paranë publike.

“Kemi premtuar Qeveri që do të jetë efikase në punën e saj, që do ta luftojë krimin dhe korrupsionin, që do të jetë racionale dhe e përgjegjshme ndaj parasë publike. Asnjë temë tjetër s’mund të na zhvendosë nga ky përcaktim. Dialogu me Serbinë për njohje reciproke, qoftë në Ëashington apo në Bruksel do të jetë më përmbajtësor dhe më i qëndrueshëm, nëse aksionarë të këtij dialogu janë pozita dhe opozita. Ndërkaq, strategjia e dialogut duhet të jetë çështje që diskutohet dhe formulohet nga kryeministri dhe kabineti i tij i ngushtë me partnerët e koalicionit dhe liderët e opozitës”, ka përfunduar Mustafa. /Zëri