Muzeu i Dëshmorëve: 8 vjet projekt, 700 mijë euro dhe inaugurim me gabime

Muzeu i Dëshmorëve: 8 vjet projekt, 700 mijë euro dhe inaugurim me gabime

I nisur tetë vjet më parë, me investime mbi 700 mijë euro, megjithatë, Komuna e Prizrenit nuk ia ka dalë që ta bëjë siç duhet inaugurimin e Muzeut të Dëshmorëve. Në hije kanë mbetur rreth 215 biografi e eksponate të ndryshme të dëshmorëve të rënë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi që emërtimi i muzeut nuk ka kaluar pa gabime drejtshkrimore.

Aty shënohet “Muzeu i Dëshmoreve” dhe “Martys Museum”, në vend të “Muzeu i Dëshmorëve” dhe “Martyrs Museum”. Kryetari Mytaher Haskuka nuk është përgjigjur në thirrjet e KOHËS gjatë pasdites për sqarime.

Për këto gabime ka pasur reagime të shumta në rrjetin social Facebook, ku komentuesit kanë kritikuar Komunën për mungesë të seriozitetit.

Drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Osman Hajdari, ka thënë se projekti i nisur më 25 prill të vitit 2013 është zhvilluar në faza të ndryshme, duke u kryer punimet e brendshme, ndërtimi i monumentit me 76 pllaka, ndërtimi i fontanës, shtigjeve për ecje, parkingut e të tjera.

Sipas Hajdarit, më 2013-n, plan fillestar i projektit për Kompleksin Memorial kishte qenë ndërtimi i amfiteatrit dhe hapësirave të thjeshta, pa ide për muze. Megjithatë, sipas tij, gjatë punës, është iniciuar që të shndërrohet në muze për pasqyrimin e luftës.

Vetëm gjatë vitit 2018, sipas tij, janë shpenzuar rreth 100 mijë euro për përfundimin e kontratës.

Në përurimin e muzeut në fshatin Landovicë, 11 kilometra nga Prizreni, kryetari Mytaher Haskuka ka thënë se ai duhet të plotësohet dhe të mbushet me fakte dhe dokumente për ta dëshmuar kështu sa më bindshëm luftën e UÇK-së.

“Ne tani, me historianë e me studentë të historisë, duhet të punojmë bashkë që ta pasurojmë muzeun dhe që t’i tregojmë të gjitha detajet e luftës së UÇK-së. Ju falënderoj për punën që keni bërë. Kjo ka marrë rreth 5 deri në 10 vjet për finalizim të skenarit të brendshëm. Merrni parasysh që është bërë për një periudhë të shkurtër, puna për dokumentimin e luftës së UÇK-së duhet të jetë e vazhdueshme”, ka thënë ai.

Për punën dhe enterierin e objektit do të duhej të interesohej drejtoresha e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Sevil Kaza. Megjithatë, ajo nuk ka arritur ta bëjë këtë siç duhet për faktin se KOHA ka mësuar se gabime të tilla ka edhe në biografitë e dëshmorëve, duke ua ngatërruar edhe pozitat e gradat që kishin gjatë luftës.

Në prani të zyrtarëve komunalë dhe përfaqësuesve të organizatave të dala nga lufta, Kazaz ka thënë se ky është projekti i parë në Kosovë që bëhet për nderim të dëshmorëve.

Pos biografive, në Muzeun e Dëshmorëve janë edhe vendosur edhe filma dokumentarë që, sipas saj, e pasqyrojnë luftën e UÇK-së.

“Jemi mbledhur në projektin e parë në Kosovë për nder të dëshmorëve të rënë, që vdekjes i dhanë përjetësi. Për funksionalizimin e këtij muzeu është bërë ekspozimi i eksponateve që janë mbledhur në qytetin e Prizrenit nga familjet e dëshmorëve. Ekspozita posedon rreth 215 biografi e histori individuale të secilit dëshmor. Do shihni filma dokumentarë kushtuar dëshmorëve të rajonit të Prizrenit dhe hartat e planeve operacionale të UÇK-së. Unë, si drejtoreshë nga Komuna e Prizrenit dhe si përfaqësuese e komunitetit turk, krenohem me këtë projekt”, ka thënë ajo.

Me t’u përuruar, një qytetar nga Prizreni ka thënë se ka emocione të përziera kur sheh figurat e dëshmorëve, që ia kujtojnë sakrificën dhe luftën e tyre.

“E falënderoj Zotin që nuk harrohen dhe na është dhënë një mundësi që të vijmë ta shohim, ta mësojmë historinë e UÇK-së. Falënderoj të gjithë për këtë muze që ma kujton atë që i madhi Zoti thotë: Mos thoni që kanë vdekur, ata janë gjallë. Ne si zonë e dytë mbrojtëse në nivel vendi kemi paraprirë me një muze, kësisoj ka edhe disa gjëra të tjera si veshje e lloje armësh, etj. Edhe ai muze do ta pasurojë këtë muze dhe çdo vit mund të mësojmë më shumë për UÇK-në”, ka shtuar Fetah Bekolli.