Nagavci porosit mësimdhënësit të ndërpresin grevën dhe të rifillojnë mësimin

Nagavci porosit mësimdhënësit të ndërpresin grevën dhe të rifillojnë mësimin

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka porositur edhe një herë mësimdhënësit dhe punëtorët tjerë që të ndërpresin grevën dhe të rifillojnë mësimin në shkollat e Kosovës, shkruan KultPlus.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Nagavci ka shkruar se punëtorët e arsimit janë trajtuar me dinjitet dhe pozita e tyre tani në Ligjin për paga është më e mirë se sa ishte më parë.

“Në ligjin për paga të anuluar nga Gjykata Kushtetuese, paga bazë e një mësimdhënësi të shkollës së mesme të lartë ka qenë sa 26% të pagës më të lartë në vend, ndërsa me projektligjin e ri është 32% e pagës më të lartë; paga e një mësimdhënësi në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët ka qenë 23-24.5% e pagës më të lartë, ndërsa tani është 31%; etj. Pra, punëtorët e arsimit jo vetëm që janë trajtuar dinjitetshëm, por edhe është përmirësuar pozicionimi i atyre që ishin diskriminuar me ligjin e kaluar. Nuk ka më lënie anash të mësuesve klasorë 1-5 dhe pagë më e ulët për ta, sikur edhe për sekretarët, bibliotekistët, psikologët e pedagogët në shkolla, të cilët ishin trajtuar në mënyrë jo të mirë në ligjin e fundit”, ka shkruar Nagavci.

Ajo theksoi se Projektligji i pagave u ofron mësimdhënësve më shumë se sa kanë rënë dakord vetë përfaqësuesit e SBASHK-ut në ligjin e kaluar.

“Projektligji për pagat në sektorin publik tashmë është në dëgjim publik. Ky Projektligj ofron shumë se ajo më të cilën ishin pajtuar përfaqësuesit e SBASHK-ut në ligjin e fundit. Ftoj të gjithë mësimdhënësit në Kosovë që të fillojnë mësimin dhe ndërkohë të japin edhe kontributin e tyre me komente e sugjerime, që të kemi një Projektligj sa më të mirë për pagat.  Do të jemi gjithmonë pranë mësimdhënësve dhe punëtorëve tjerë të arsimit për të tejkaluar  çdo vështirësi dhe së bashku të kujdesemi që fëmijëve tanë t’ju ofrojmë arsimim cilësor”, ka shkruar Nagavci në Facebook. /KultPlus.com