Nagavci: S’ka arsye për grevë, paralajmërimi për moszëvendësim të orëve e ndërlikon situatën – Lajmet e fundit



Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, ka reaguar edhe sot në lidhje me grevën në arsim, që po e lë shkollat të mbyllura në javën e dytë kur mësimi do duhej të fillonte.

Nagavi ka thënë se ky është viti i tretë radhazi që java e dytë e shtatorit i gjen nxënësit në shtëpi.

“Është viti i tretë radhazi që java e dytë e shtatorit i gjen nxënësit në shtëpi. Në dy vitet e kaluara kjo ndodhi për shkak të pandemisë, e cila çrregulloi edhe procesin edukativo-arsimor, duke shkaktuar humbje të mëdha mësimore. Ndërkaq, këtë vit vonesa po ndodhë për arsye që lehtësisht kanë mundur të shmangen, e që kanë rezultuar me humbjen e rreth 580 mijë orëve të mësimit në 7 ditët e grevës së organizuar nga BSPK dhe SBAShK”, ka shkruar Nagavci.

Ajo ka shkruar se greva, në formë të ndërprerjes së plotë të punës dhe pa kufizim kohor, është hap ekstrem që ndërmerret vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe nuk ka kurrfarë arsyeshmërie në kushtet kur Qeveria ka bërë disa hapa dhe ka ndërmarrë vendime të dinjitetshme për adresimin e kërkesave të parashtruara nga sindikatat.

“Paralajmërimet për kushtëzimin e dialogut të mëtutjeshëm, si dhe ato për moszëvendësimin e orëve të humbura, vetëm sa e ndërlikojnë situatën. Me këtë rast, më duhet të rikujtoj se Kalendarin shkollor e nxjerrë MAShTI, e jo sindikatat, ndërsa të njëjtit duhet t’i përmbahen si mësimdhënësit, ashtu edhe nxënësit dhe prindërit”.

“Si Ministre, punonjëse e arsimit dhe qytetare e këtij vendi kërkoj nga kryesia e SBAShK-ut që të reflektojë për situatën e krijuar dhe, bashkë me përfaqësuesit e degëve komunale, ta ftojë anëtarësinë e vet për t’iu kthyer punës, në mënyrë që të krijojmë atmosferë për vazhdimin e dialogut konstruktiv, që është parakusht për zgjidhjen e problemeve komplekse në sektorin e arsimit”.

“Arsimi, në radhë të parë, është çështje e përmbajtjes dhe cilësisë, për të cilën e kemi obligim që të punojmë të gjithë bashkë dhe të sigurojmë të ardhme më të mirë për fëmijët tanë”, shkruan Nagavci. /Zëri