Nagavci thotë se gjendja me COVID-19 ka dalë jashtë kontrollit

Nagavci thotë se gjendja me COVID-19 ka dalë jashtë kontrollit – Lajmet e fundit



Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka thënë se me numrin në rritje të viktimave në Kosovë nga COVID-19, situata po bëhet alarmante.

Nagavci ka vlerësuar se situata në vend me COVID-19 ka dalë jashtë kontrolli, ndërsa ka akuzuar qeverinë se ka dështuar në ruajtjen e jetës së qytetarëve.

“Fatkeqësisht në Kosovë shifrat e të vdekurve dhe të infektuarve me Covid-19 po rriten me shpejtësi e situata po bëhet alarmante. Viktimat nuk janë vetëm numra, nuk është e rëndësishme raportimi i moshës së tyre e as se a kanë pasur dhe sëmundje tjera. Secila e secili nga ta janë jetë njerëzish, janë persona me historitë, familjet , ëndrrat e dhimbjet e tyre. Të gjitha viktimat lënë pas vetes mall e dhimbje për humbjen, ashtu si dhe brengë e dëshprim se ndoshta kujdesi i munguar është një nga shkaqet që po i humbim .

Gjendja ka dalur krejtësisht jashtë kontrollit, Qeveria po dështon në kujdesin ndaj shëndetit publik, ndaj ruajtjes së jetës së qytetarëve si e drejtë apsolute dhe poashtu ka bllokuar Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 që kemi inicuar që në muajin prill. Ndërkaq studimet po tregojnë se Covid-19 mund te kthehet tek i njejti person edhe pas shërimit, fatkeqësisht raste të tilla të konfirmuara për herë të dytë kemi dhe në Kosovë. Pra të gjithë jemi të rrezikuar, pa marrë parasyshë moshën, dhe pasojat mund të jenë të rënda”, ka shkraur Nagavci në Facebook.

Ajo ka thënë se në këto rrethana, më e rëndësishmja është ruajtja e shëndetit personal, të familjarëve dhe të gjithë kontakteve, dukë këshilluar që të mbahet distanca fizike, higjena, përdorimi i maskave dhe shmangia nga qëndrimet në ambiente të mbyllura. /Zëri