“Nata operistike” me arie të rralla përballë sfidës me alarm bombe

“Nata operistike” me arie të rralla përballë sfidës me alarm bombe

Karriget e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare ishin mbushur nga dashamirët e muzikës klasike të cilët kishin ardhur për të dëgjuar sopranon Erika Grimaldi dhe tenorin Leonardo Caimi. Ata do të këndonin në kuadër të natës së dytë të “Rame Lahaj International Opera Festival”.

Por kjo mbrëmje e cila nisi me Erika Grimaldin, të përcjellë nga pianisti i njohur shqiptar, Mennan Bërveniku, u ndërpre në gjysmë për shkak të alarmit për bombë. Pas përfundimit të aries “Carmen” të G. Bizeit e cila u interpretua mjeshtërisht nga Leonardo Caimi, në skenë papritmas doli Ulpiana Aliaj, koordinatorja artistike e festivalit, dhe njoftoi të pranishmit se duhej të lëshonin sallën. Sipas saj, policët do të kryenin një kontroll pesëmbëdhjetë-minutëshe si pasojë e një alarmi që ata kishin marrë.

Menjëherë pas kësaj, të gjithë të pranishmit lëshuan sallën dhe të udhëhequr nga policët dolën në oborr, ku u detyruan qëndronin në një largësi prej diku pesëdhjetë metrash nga vendi i ngjarjes.

Por, pas njëzet minutash, u dha njoftimi për t’u kthyer në sallë dhe gjithçka vazhdoi aty ku ishte lënë. Alarmi qe i rremë. Për ta ndezur më shumë atmosferën, menjëherë pas kthimit në sallë, dyshja italiane Erika Grimaldi dhe Leonardo Caimi kënduan këngën e famshme “O sole mio” të E. Di Capua. Këtë këngë së pari e nisi vetë Ramë Lahaj i cili siç duket, pas tollovisë që kishte shkaktuar ndërprerja e koncertit, deshi të ofronte një ngrohtësi dhe siguri, si te publiku, ashtu edhe te dy artistët.

“O sole mio” është një këngë e njohur napolitane e shkruar në 1898. Teksti i saj u shkrua nga Giovanni Capurro dhe muzika u kompozua nga Eduardo di Capua dhe Alfredozzuc.

Erika Grimaldi, sopranoja e cila konsiderohet si një nga artistet më të suksesshme ndërkombëtare, e ngriti në këmbë publikun me thellësinë mbresëlënëse me të cilën arriti t’i kapte notat e larta kur interpretoi arien Addio, fiorito asil të “Madama Butterfly” të G. Puccinit. Gjatë interpretimi të këngës, nga publiku shumë herë u dëgjuan thirrjet “bravo” të cilat miratonin burinë artistike të këtij interpretimi.

Ndryshe nga Grimaldi, tenori Leonardo Caimi, i cili është një nga tenorët më të vlerësuar të kohës, solli para publiku një arie më të lehtë e më romantikë. Ishte “E lucevan le stelle” (“Dhe yjet po shkëlqenin”) e cila është një arie nga akti i tretë i operës “Tosca” të Giacomo Puccinit nga viti 1900, i kompozuar në një libreto italiane nga Luigi Illica dhe Giuseppe Giacosa.

Leonardo Caimi është i mirënjohur veçanërisht për zërin e tij të butë, muzikalitetin e thellë dhe aftësinë për aktrim të jashtëzakonshëm. Ai u diplomua në degën e Kantos në Konservatorin “A.Corelli” të Mesinës. Përveç këtyre ai ka diplomuar edhe në degën e filozofisë në “Universitetin e Studimeve” të Mesinës. Ka performuar në teatro dhe festival prestigjiozë si Royal Opera House Covent Garden, Teatro alla Scala, Teatro Real, Bayerische Staatsoper, Teatro Colon e shumë të tjerë.

Por, natën e së dielës mbrëma, dyshja e përbërë nga sopranoja Erika Grimaldi dhe tenori Leonardo Caimi, nuk u mjaftua me “O sole mio”, por solli edhe duete të tjera. Ishte përsëri “Madame Butterfly”, e cila tani vinte me arien “Viene le sera” e cila interpretohet nga një soprano dhe tenor. Gjatë interpretimit të saj dyshja, bëri edhe një lojë kur përmes aktrimit shfaqte para publikut dialogun midis dy të dashuruarve e i cili në fund përfundoi me një ”Puthje”, çka solli shumë duartrokitje nga publiku.

Por ritmi i shpejtë i aries Brindisi të operës “La traviata” të G, Verdit, i cili së pari erdhi nga ritmi i notave të pianos së Bërvenikut ishte ai që e bëri publikun të brohoriste nga gëzimi, ende pa filluar interpretimi i artistëve. Kjo këngë, që siç u pa ishte ndër të preferuarat e publikut solli edhe shumë emocione në audienca. Aria e cila nis me nota të shpejta dhe shumë ritmike e futi në lojë edhe audiencën e cila filloi të duartrokiste në sinkronizim me melodinë e saj.

Koncerti është ndërprerë nja 20 minuta, shkaku i një alarmi të rremë për bombë (Foto: Arben Llapashtica)

La traviata, është një operë në tri akte nga Giuseppe Verdi e vendosur në një libreto italiane nga Francesco Maria Piave. Ajo bazohet në La Dame aux camélias (1852), një dramë nga Alexandre Duma e përshtatur nga romani i tij i vitit 1848.

Pas përfundimit të mbrëmjes, Grimaldi u shpreh shumë e gëzuar që kishte ardhur në Kosovë dhe që kishte “zbuluar” festivalin e Ramajt.

“Për herë të parë Ramë Lahajn e kam takuar në “Bohem”, ndoshta 10 vite më parë, dhe jam shumë e lumtur që jam këtu sot. Ai më ftoi dhe këtu e takova pas dhjetë vjetësh dhe për mua ishte një kënaqësi e madhe dhe po ashtu këtu mësova për këtë festival dhe mendoj se kjo është një gjë shumë e mrekullueshme”, ka thënë ajo.

Tutje, sopranoja Grimaldi u shpreh e lumtur edhe për bashkëpunimin që, në këtë mbrëmje, pati me pianistin Mennan Bërveniku.

“Ai është një pianist i mrekullueshëm dhe në mbrëmje ne patëm një bisedë dhe ishte një moment shume i mirë për ne. Ai ishte shume i mirë dhe ia doli që të na ndiqte në mënyrë të saktë dhe kjo ishte shume e mirë, jam shumë e lumtur për këtë”, përfundoi ajo.

Erika Grimaldi është artiste nga Italia. Ajo ka diplomuar në dy disiplina: Kanto dhe Piano në Konservatorin “Giusseppe Verdi” në Torino. Ka interpretuar disa role mes të cilave: “Stabat Mater” i Rossinit në Accademia Nazionale Santa Cecilia në Romë, me regji nga Nicola Luisotti de Fine Arts në Mexico City, Mimi në “La Bohème” në Teatro San Carlo në Napoli, Fiorilla në “Il. Turco in Italia” nga G. Rossini dhe “Stabat Mater” nga G. Rossini në Palau de les Arts në Valencia e të tjera.

Por ardhja e këtyre dy artistëve e lumturoi pafundësisht pianistin Mennan Bërveniku i cili pati rastin, që në këtë mbrëmje të bashkëpunonte më ta.

“Është kënaqësi shumë e madhe të bashkëpunosh me profesionistë të këtij kalibri, sepse atëherë neve na nevojitet vetëm të bashkohemi dhe të bëjmë një provë shpejt e shpejt që ta kuptojmë se a po përshtatemi mes vete dhe pasta vetëm më dal në koncert. Dhe kjo është kënaqësi shumë e madhe”, ka thënë ai për KOHËN.

Lidhur me tollovinë që krijoi ndërprerja e koncertit si pasojë e alarmit, Bërveniku tha se në të vërtetë ajo ishte një gjë e cila vetëm sa ua hoqi edhe më shumë emocionet.

“Alarmi nuk na dekoncentroi aspak. Së paku mua, por as kolegët e tjerë, sepse ne biseduam në prapaskenë dhe edhe ata ishin vetëm të habitur dhe nuk e kuptonin se çfarë dhe pse po ndodh. E dinin që ishte ndonjë mashtrim, prandaj nuk na ka penguar aspak, madje po mendoj se pas asaj në njëfarë mënyre ne u çliruam, nuk patëm më tremë dhe shkoj edhe më mirë”, përfundoi ai plot emocion.

Mennan Bërveniku konsiderohet si një nga pianistët më erudite të kohës. I lindur në Prishtinë, nga një familje me formim të pasur muzikor, ai krijoi lidhje me muzikën që në moshë shumë të re. Ka performuar në shumë salla koncentrate në të gjithë botën, si Musikverein dhe Konzerthaus në Vjenë, Slovenian Philharmonic Hall, Mozarteum në Salzburg dhe ka bashkëpunuar me orkestra si ajo e Filharmonisë së Kosovës dhe “Schmidt Kammerorchester”.

Performancën e kësaj nate, Besa Berberi, profesoreshë e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Pejës, “Haxhi Zeka” e cilësoi si shumë të rëndësishme dhe të dobishme sepse, sipas saj, ai ishte një interpretim shumë profesional prej të cilit solistët e rinj mund të mësojnë jashtëzakonisht shumë.

Tutje ajo e vlerësoi shumë edhe programin të cilin këta dy artistë e kishin zgjedhur për ta interpretuar sonte.

“Ishte shumë emocionuese sepse kurrë s’kam dëgjuar program më të bukur dhe na kanë nderuar shumë më programin, sepse zakonisht dalin me ca arie të cilat janë pak më të njohura. Këtu pati disa arie shumë të rralla, por edhe duetet ishin shumë të bukura. Ndërsa për vokalin, s’kam çfarë të shtoj”, përfundoi ajo.

“Rame Lahaj International Opera Festival” do të vazhdojë aktivitetet e tij edhe në ditët e ardhme deri më 31 korrik, ku do të mbyllet me një Gala-mbrëmje.