Ndërmarrjet Sociale, miratohen kriteret e Ministrisë të Shëndetësisë për financimin deri në 1,5 milionë lekë të projekteve që nxisin punësimin

Ndërmarrjet Sociale, miratohen kriteret e Ministrisë të Shëndetësisë për financimin deri në 1,5 milionë lekë të projekteve që nxisin punësimin

Ndërmarrjet sociale që shpallen fituese të projekteve për nxitjen e punësimit të shtresave të pafavorizuara do të financohen 70% të shumës të kërkuar, maksimumi deri në 1,5 milionë lekë për projekt. Nga fondi i ndihmës shtetërore, projektet e ndërmarrjeve sociale të shpallura fituese do të kenë mundësinë të përfitojnë edhe nga fondi i punësimit, 100 mijë lekë për çdo vend pune të ri të krijuar.

Botohen në Fletoren Zyrtare kriteret e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për dhënien e ndihmës shtetërore për ndërmarrjet sociale.

Udhëzimi përcakton se aplikimi, për një nga format e mbështetjes së ndërmarrjeve sociale, bëhet pranë ministrisë të shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me anë të një kërkese me shkrim, bazuar në kriteret e përcaktuara në thirrjen publike në faqen zyrtare të ministrisë.

Aplikimi, gjithashtu duhet të shoqërohet me një projektpropozim ose planbiznes, të shoqëruar me një relacion shpjegues mbi rëndësinë strategjike të projektit, si dhe përshkrimin e detajuar të elementeve si: vlera e projektit, mundësitë dhe hapja e vendeve të reja të punës, mundësitë e zhvillimit ekonomik që sjell investimi, etj.

Bizneset që do të aplikojnë për përfitimin e ndihmës shtetërore, përveç aplikimit me shkrim duhet të dorëzojnë dokumentacionet si: urdhri i ministrit përgjegjës për miratimin e statusit të ndërmarrjes sociale të lëshuar jo më vonë se tre muaj para datës së aplikimit; fotokopje të vendimit të regjistrimit të gjykatës dhe të statutit të organizatës; vërtetim nga dega e tatim-taksave për shlyerjen e detyrimeve tatimore (origjinal ose me vulë digjitale (online tek e-Albania /te tatimet), për aq kohë sa ushtron veprimtarinë, por jo më gjatë se për një periudhë kohore njëvjeçare nga çasti i aplikimit; të kontributeve të sigurimeve shoqërore etj.

 

Kriteret financiare që duhet të plotësojnë bizneset

Bazuar në kriterin e përshtatshmërisë së biznesit me skemën e ndihmës shtetërore, subjekti duhet të përmbushë faktorët si më poshtë vijojnë:

a) aftësi për financim 30% të kostove të projektit të propozuar, në fazën e aplikimit, për formën e subvencionit të zhvillimit të veprimtarisë;

b) ka në objektin e veprimtarisë së tij një nga veprimtaritë që përfshihen në pikën 4, tëvendimit të Këshillit të Ministrave nr. 16, datë 12.1.2018;

c) të punësojë minimalisht 3 punonjës të rinj nga kategoritë e grupeve të pafavorizuara, sipas përcaktimeve të bëra në vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 56/2018, “Për përcaktimin e kategorive konkrete të grupeve të pafavorizuara”, brenda 12 muajve nga momenti i përfitimit të subvencionit dhe kohëzgjatja e kontratës të jetë jo më pak se 2 vjet;

ç) ka selinë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Përfitimi nga fonde të akorduara nga donatorët apo institucione financiare ndërkombëtare, për këto sipërmarrje, nuk përbën pengesë për përfitime dhe nga fondi për ndërmarrjet sociale. Subjektet duhet të vetëdeklarojnë se nuk janë duke përfituar financim nga donatorë të tjerë për të njëjtin projekt.

Rimbursimin e skemës, sipas kostove të miratuara në përputhje me udhëzimet e mëposhtme:

a) lidhur me formën e parë të subvencionit “për zhvillimin e veprimtarisë”;

b) një ndërmarrje mund të përfitojë 70% të fondit të kërkuar, maksimalisht 1,500,000 lekë për një projekt;

c) fondi për zhvillimin e veprimtarisë mbulon deri në 70% të kostove të pranuara brenda limitit të mësipërm;

d) pagesa e fondit të përfituar bëhet 70% në miratimin e aplikimit dhe 30% në përfundim të projektit, kundrejt faturës/faturave, e cila/të cilat vërteton/vërtetojnë shpenzimet e kryera të cilat do të dorëzohen në përfundim të projektit;

e) fondi nuk mund të jepet më tepër se një herë për të njëjtën sipërmarrje;

f) fondi për krijimin e vendeve të reja të punës është deri në 100.000 lekë për çdo vend të ri pune, i cili duhet të përdoret për mjete pune, lëndë të parë dhe materiale konsumi.

g) pagesa e fondit të përfituar bëhet 50% në miratimin e aplikimit dhe 50% në përfundim të projektit, kundrejt faturës/faturave, e cila/të cilat vërteton/vërtetojnë shpenzimet e kryera, të cilat do të dorëzohen në përfundim të projektit;

h) fondi për sigurimet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve të ndërmarrjeve sociale, që u përkasin grupeve të pafavorizuara mbulon në masën 100% të pjesës së kontributit të punëdhënësit dhe të punëmarrësit, me kusht që kohëzgjatja e kontratës së punës të mos jetë më e shkurtër se dy vjet;

i) ky financim bëhet drejtpërdrejt në degën e sigurimeve shoqërore, sipas procedurave përkatëse;

j) pranimi i aplikimeve është subjekt i disponueshmërisë së fondeve dhe mund të pezullohet në çdo kohë në rast se fondet kanë mbaruar. Në rast të tillë, thirrja për aplikime dhe miratimi I subvencionit mund të fillojë/rifillojë vetëm pas miratimit të fondit në mbështetje të ndërmarrjeve sociale, me fonde.

Mbulimin nga skema të kostove, për:

a) investime në makineri dhe pajisje për realizimin e prodhimit/shërbimit;

b) kualifikim dhe trajnim për rritjen e aftësive profesionale të punonjësve të rinj nga kategoritë e grupeve të pafavorizuara;

c) mbulimin deri në 50% të pagës minimale për punonjësit e rinj nga kategoritë e grupeve të pafavorizuara për një periudhë 6-mujore.

Nuk mund të mbulohen nga skemat e përcaktuara në pikën 3 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 789/2019, kostot e mëposhtme: i. zbavitje dhe dhurata; ii. investim kapital; iii. prodhim, duke përfshirë kampionë; iv. shpenzime administrative v. kosto të lindura para miratimit të subvencionit; vi. kosto të lindura në vazhdimësi prej infrastrukturave dhe detyrimeve ekzistuese; vii. aktivitete që mbështeten nga burime të palëve të treta, sikundër mund të jenë Bashkimi Evropian, Dhoma e Tregtisë apo të tjera të ngjashme; viii. çdo aktivitet i paligjshëm; ix. marketing të produktit dhe promovim (me përjashtim të reklamave elektronike dhe televizive); x. pjesëmarrje në panair ose ekspozitë brenda apo jashtë shtetit, si ekspozues.

Procedura për aplikim

10.1 Kërkesa paraqitet në Ministrisë nga vetë kërkuesi apo çdo person i autorizuar prej tij, sipas formatit të aplikimit, të miratuar nga kryetari i Komisionit të Vlerësimit të Aplikimeve.

10.2 Dokumentet paraqiten në origjinal, në kopje me të njëjtën fuqi provuese me origjinalin ose në kopje të panjësuara me origjinalin, nën përgjegjësinë e plotë të aplikantit për vërtetësinë e akteve të marra si kopje të vërteta të origjinalit.

10.3 Kur kërkesa paraqitet nga personi i autorizuar, sipas pikës 1 të këtij neni, bashkë me dokumentet paraqitet edhe dokumenti që vërteton faktin e të qenit i autorizuar.