“Ndonjëherë ishte bukur” në “Kino Rininë” që pret ringjalljen

“Ndonjëherë ishte bukur” në “Kino Rininë” që pret ringjalljen

Grup i miqve të pazakontë që diskutojnë për filmat që shfaqen para tyre, janë protagonistë në ”Kino Rinia”. Instalacioni i artistit nga Ruanda, Christian Nyampeta, ka qenë arsyeja e realizimit të asaj që qytetarët e kishin pritur për shumë vjet. Vendi që dikur ka sjellë filmat e Hollywoodit në Prishtinë, tash është protagonist i instalacionit me ekranin ku shfaqet filmi “Sometimes it Was Beautiful”, introja e gjatë për “Film rreth të Dashuruarve në Hapësirë të Rrezikshme” dhe karriget e njerëzve nga komunitetet në të cilat bëjnë pjesë. Pas secilës karrige fshihet një histori.

Në hyrje të sallës – që tash s’ka më gjurmë të kinemasë së dikurshme që projektorin e ndezi për të parën herë më 1953 – është vendosur pëlhura e bardhë ku projektohet filmi gjatë tërë kohës. Karrige të ndryshme janë vendosur aty-këtu në dyshemenë prej dërrasave ku dikur kanë qenë rendet e ulëseve të kinemasë. Aroma e mureve të prishura mbërthen gjithë hapësirën, e cila ndriçohet me dritë natyrore nga dy portat pa dyer. Filmi “Sometimes it Was Beautiful” i shkon goxha për shtat “Kino Rinisë”, të cilën Komuna e Prishtinës, të premten, ka bërë me dije se e ka marrë nën menaxhim pas një “beteje” me Agjencinë Kosovare të Privatizimit. “Kino Rinia” gjatë viteve ’60 ishte djegur e rregulluar sërish. Komuna e Prishtinës e kishte shpronësuar atë hapësirë me qëllim që ta bëjë kinemanë me 850 ulëse, e cila do të funksiononte edhe gjatë viteve ’90, nën menaxhim të serbëve. Pas luftës, kanë qenë të kota tentativat për ta rikthyer në kinema. Për një kohë është shfrytëzuar si gjykatë, diskotekë e hapësirë e lojërave të fatit. Më 2020 është tentuar të rinovohet hapësira dhe të kthehet në qendër tregtare.

Përveç nostalgjisë për rikthim në të njëjtin vend pas shumë vitesh, emocion të veçantë reflekton tematika e filmit që pikërisht flet për kinemanë. Vizitorët vijnë për ta parë filmin a të rikthehen aty ku u takuan me filmat e kohës. Ulen në karriget që nuk ngjajnë në ulëset e kinemave të zakonshme. Aty përcjellin grupin e “kritikëve” të filmave të tjerë në një diskutim si “shkollë e mbrëmjes”. Grupe të ndryshme të shoqërisë mblidhen për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe jo vetëm për të parë siluetën e tyre në ekranin ku pamjet i krijon një reflektor. Biseda ka të bëjë me filmat e kinematografit suedez, Sven Nykvist, të realizuar në Kongo në vitin 1940. Diskutimi ndërtohet mbi ndryshimet ndërmjet filmave.

Që në fillim, autori flet në vetën e parë. Christian Nyampeta, artist i njohur botërisht, sigurohet të njihet me shikuesin që në sekuencën e parë.

“Emri im është Christian. Christian Nyampeta. Jam artist dhe në përgjithësi nuk kam një medium specifik. Mediumi varion nga konteksti në të cilën vepra është emergjencë”, është prezantimi i shkurtër që vjen para esencës së filmit. Në film tregon se ka qenë i angazhuar në kinema nga perspektivat e mundësisë për të qenë në një bashkësi që suspendon diferencat në momentin kur ato mund të jenë pika ndarëse.

Sikurse veprat e tjera të tij, edhe “Sometimes it Was Beautiful” është frymëzuar nga idetë e shkrimtarit dhe regjisorit senegalez, Ousane Sembene. Ky i fundit kinemanë e ka parë si vend për të mësuar në mënyrë kolektive dhe si mjet për ndërhyrje sociale. Sembene njihet si “baba i kinemasë afrikane”.

Struktura e filmit është ndryshim i fragmenteve si mini-episoda që sillen rreth. Politikanët Yasser Arafat dhe Winnie Mandela, teoricientja postkoloniale, Leela Gandhi, dramaturgu Wole Soyinka dhe regjisori Andrei Tarkovsky janë personalitetet që marrin pjesë në film. Shpesh përsëriten bisedat e njëjta, dyshimet dhe akuzat rriten, vështrimet hidhen anash, shprehen mosbesimet e mirëkuptimi është vetëm si siluetë. Filmi është edhe udhëtim në kohë që në mënyrë indirekte, si formë vlerësimi për filmin, paraqet jetën e vështirë të të rriturve e fëmijëve në vendet afrikane. Në instalacionin e tij si tërësi e përbërë me pamje, zërim e karrige diskutimi për kinemanë sjell ngrohtësi përmes ndriçimit, performancës e këndimit.

“Kjo bisedë, në fakt, është pjesë e njerëzve që mendojnë bashkë, vallëzojnë bashkë, shpalosin programet të cilave u kontribuon ‘The Evening School’. Është bashkëpunim dhe organizim mes kolegësh përmes ekspozitave, shfaqjeve, vallëzimeve, performancave dhe eksperimenteve pedagogjike”, thotë në film Nyampeta. Po aty shpjegon se ato nuk janë të rrënjosura në disiplina e profesionalizëm, por në shoqëri dhe dashuri.

Të shtunën, vizitorët kanë shfrytëzuar ambientet e “Kino Rinisë” për të ndjekur veprën e artistit. Për vizitorët e huaj, përveç filmit, interesante është edhe shfaqja e filmit për kinemanë, në kinema. Reyes Charle nga Spanja është shprehur se ana pozitive e hapjes së “Kino Rinia” do të ishte nëse e hapur do të qëndronte edhe kur bienalja “Manifesta 14” të përfundonte. “Filmi ishte shumë interesant, por më interesante më është dukur hapësira për shfaqjen. Unë nuk kam pasur fatin të jem këtu kur ka punuar si kinema, por mendoj se është shumë interesante për mënyrën sesi është organizuar dhe është ende e konservuar. Është mirë nëse një ditë përdoret përsëri edhe pasi të ikë ‘Manifesta’”, ka thënë ajo derisa ka treguar se ka dëgjuar shumë për kinemanë dhe se ka parë shumë objekte të papërdorura, pasi në Prishtinë jeton për shtatë vjet.

Boyd McKechnie nga Irlanda e Veriut, që po ashtu jeton në Prishtinë, ka thënë se “filmi është montazh i filmave të ndryshëm”. Kinemanë e ka vlerësuar si hapësirë të mrekullueshme, e cila duhet të rivitalizohet, pa humbur formën origjinale.

“Mendoj se është hapësirë e mrekullueshme dhe mund të përdoret për ngjarje të tjera, jo vetëm për filma. Mendoj se lidhja me njerëzit dhe historitë e tyre për kinemanë dhe gjithë ndërtesat e tilla, duhet të rivitalizohen në formën e tyre origjinale. Ndoshta fasada duhet të jetë e njëjta, por teknologjia duhet të përtërihet”, është shprehur ai.

Për Bajram Krasniqin nga Prishtina, hapja e dyerve të kinemasë e kthen në kujtimet gjatë kohës sa ka shikuar filma aty.

“Kam shikuar shumë filma këtu, kam shumë histori. Për vite kanë qenë të mbyllura dhe tash është koha të kthehet në përdorim”, ka thënë ai.