Ndoshta s’është hoteli më i keq në botë, por “bota është shumë e madhe”

Ndoshta s’është hoteli më i keq në botë, por “bota është shumë e madhe”

Prishtinë, 1 mars 2018 (The New York Times) – Hoteli “Grand” në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, kritikohet rregullisht në postimet në internet. Ja disa shembuj: “I pështirë”, “gërmadhë” dhe “tmerr i vërtetë”. “Mbase më i keqi në të cilin kam qenë ndonjëherë”.

Por menaxherët nuk duken se i shqetësojnë fort këto fyerje të bëra nëpërmjet internetit. Ata nuk ofrojnë rezervime nëpërmjet ueb-faqes dhe rrallëherë ofrojnë qasje në internet; hoteli madje as që e ka një e-mail.

Duke qenë sinonim i modernes atëherë kur kjo pjesë e Ballkanit ishte ende pjesë e Jugosllavisë tani të vdekur, “Grandi” që ishte në pronësi të shtetit ka pësuar rënie kaq të madhe saqë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, zakonisht një përkrahës energjik i gjithçkaje që vendi i tij ka për të ofruar, e ka të vështirë ta gjejë ndonjë fjalë të mirë për të.

“Nuk mendoj se është hoteli më i keq në botë, por kjo vetëm për shkak se bota është shumë e madhe”, ka thënë presidenti, duke u shprehur dyshues kur i tregova se po qëndroja në këtë hotel.

Dhomë në katin e 12-të. Vetëm dy katet e “Grandit” janë në dispozicion për mysafirë. Aty dhomat janë relativisht të pastra dhe me raste kanë ujë të nxehtë e të tjerat janë në këso gjendjeje (Foto: Laura Boushnak për “The New York Times”)

“Pasqyrë e Kosovës”

Kur së fundmi u regjistrova në objektin me 500 dhoma, unë isha mysafiri i vetëm. Me 13 kate dhe tri anekse të ndërlidhura me blloqe betoni dhe vendosur në qendër, hoteli akomodon tufa pëllumbash në katet e epërme, ndërsa e ka lëshuar me qira përdhesen, e cila dikur përdorej si burg nga ana e bandave paramilitare serbe, por një kohë aty ishte edhe një qendër fitnesi.

Ndryshe, objekti është i braktisur, ka korridore të errëta të mbushura me pendla pëllumbash, rrjeta merimangash, dyer prej druri të errët dhe shoqëruar me kujtime edhe më të errëta të së shkuarës së Kosovës. Dy kate të saj tani janë shndërruar në rrënoja, shkaku i mbetjeve të një programi rimodelimi që ngeli pa para.

Skema e ngjyrave të objektit – e gjelbër si myshku – dhe zymtësia e frikshme do ta bënin atë vend të përkryer për xhirimin e versionit të ri të filmit të 1991-s të vëllezërve Cohen, “Barton Fink”, që ka në epiqendër një hotel të ngjashëm, të braktisur në Hollywood.

Menaxheri i përgjithshëm i “Grandit”, Rrahim Fazliu, pranon se hoteli mbase nuk i meriton më 5 yjet që e siguroi që kur u ndërtua më 1978. Mirëpo, insiston se, “me pak grim” mund të shndërrohet në “simbol të suksesit” të një shteti që ende përballet me vështirësi në hedhjen e hapave të mëdhenj edhe afro 20 vjet pas fushatës së bombardimeve të NATO-s për t’i dhënë fund kontrollit serb mbi vendin.

Hoteli, shton Fazliu, ka qenë “pasqyrë e Kosovës” dhe imazhi që ai reflekton këtyre ditëve është pa dyshim shumë më pak tërheqës sesa shpresohej në kohën e lirisë së fituar më 1999.

Shërbimi aty është minimal deri në inekzistencë, holli i shtruar në mermer kundërmon nga tymi i duhanit ndërsa tepihët e gjelbër që e mbulojnë pjesën më të madhe të dyshemesë janë me njolla. Ka më pas edhe buburreca. Por, nëse duhet të jem i sinqertë, “Grandi” meriton vlerësime më të mira sesa ato që i merr në internet. Në dy katet që mbahen të gatshme për mysafirë, dhomat janë relativisht të pastra dhe ofrojnë me raste ujë të nxehtë. Stafi i paktë që ka mbetur mundohet të ndihmojë, ndërsa qartazi turpërohet nga gjendja e lënë pas dore e objektit dikur të respektueshëm.

Shukrije Abazi, shërbyesja 58-vjeçare që ka nisur punën në hotel vetëm një muaj pas hapjes së tij katër dekada më parë, ende kujdeset që të ketë sapun dhe shampon për mysafirët që më nuk ekzistojnë, por të cilët me ngadhënjimin e shpresës mbi realitetin, ajo mendon se së shpejti do të kthehen.

Bashkë me pjesën tjetër të stafit të përbërë prej shqiptarëve, ajo e humbi vendin e punës në vitet ‘90, kur ish-diktatori serb, Slobodan Milosheviq, e nisi programin e spastrimit etnik. Ajo nuk ka nostalgji për ato kohë, por ende e pikëllon shkatërrimi i hotelit.

Presidenti, i cili ka vetëm kujtime të këqija nga e shkuara e hotelit dhe e dëshpëron gjendja aktuale e tij, ka plane të mëdha për të ardhmen.

“Mbase mund ta ndërtojmë një ‘Trump Tower’ këtu”, sugjeron Thaçi.

E kaluara e zymtë – e ardhmja e mjegullt

Para shpërbërjes së Jugosllavisë me një valë gjakderdhjesh gjatë viteve ‘90, kujton Thaçi, “Grandi” ishte vend i parapëlqyer i zyrtarëve komunistë dhe, pas shkuarjes së tyre, për bandat e armatosura që ishin të vendosura ta mbanin Kosovën pjesë të Serbisë.

Image
Suita në katin e 4-të, ku ka qëndruar Josip Broz Titoja (Foto: Laura Boushnak për “The New York Times”)

Josip Broz Tito, diktatori i kamotshëm i Jugosllavisë, e kishte një suitë në katin e katërt. Pas vdekjes së Titos në vitin 1980 dhe pasi shteti i tij multietnik nisi të shpërbëhej, “Grandi” ka funksionuar dhe madje lulëzoi për një kohë, me rritjen e numrit të rezervimeve për dhoma në kohën e mbërritjes së gazetarëve të huaj dhe bandave paramilitare serbe, që e synonin spastrimin e shqiptarëve nga Kosova, e të cilët e përbënin pjesën më të madhe të popullatës.

Zhelko Razhnatoviq, krimineli serb dhe fanatik nacionalist i etur për gjak, i njohur ndryshe si Arkani, sekuestroi suitën e vjetër të Titos derisa burrat e tij të armatosur e vendosën një shenjë në derë që ua ndalonte hyrjen shqiptarëve dhe qenve.

Në ditën e parë të qëndrimit tim në hotel gjatë vizitës së fundit, një grup i të rinjve që e vizituan klubin e natës në katin më të lartë të godinës u vendosën nëpër dhoma në mes të natës dhe e ngrenë numrin e mysafirëve në pesë – shkalla e dhomave të zëna në nivelin prej 1 përqindësh, shifër kjo po aq e mirë sa edhe qarkullimi biznesor në “Grand”, këtyre ditëve.

“Jemi të gatshëm që të operojmë çdo ditë me kapacitet të plotë, por njerëz nuk ka”, thotë Fazliu, menaxheri i përgjithshëm. Ai punon në një zyre gjigante në katin e dytë të pajisur me një tryezë të gjatë druri për konferenca, disa telefona dhe relikte të tjera të ditëve më të mira dhe më energjike.

I lënë në harresë që nga fundi i luftës në Kosovë, e cila e solli në pushtet Thaçin dhe shokët tij nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, hoteli qëndron si një monument i zymtë jo vetëm i së kaluarës së vështirë të Kosovës, por edhe i së ardhmes së saj të mjegullt.

E çliruar prej kontrollit serb tash e afro 20 vjet e që së fundmi shënoi 10-vjetorin e të qenit shtet i pavarur, Kosova është edhe vetë e mbërthyer në harresë, e njohur prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shumica e shteteve evropiane, por që ende i mohohet një vend midis Kombeve të Bashkuara dhe që trazohet vazhdimisht nga Rusia dhe Serbia. Vetëm para pak kohësh e siguroi kodin e vet shtetëror telefonik – 383 – por që ende i shfrytëzon kodet 377 dhe 386 të huazuara nga Monakoja dhe Sllovenia. Në ndërkohë, “iPhone” nuk ofrojnë raporte mbi motin në Prishtinë.

Sidoqoftë, shumica e problemeve që pllakosin Kosovën – në veçanti, korrupsioni endemik dhe pazaret nën hije të ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – janë të produkt i vetë shtetit.

Për të fundit herë e vizitova hotelin “Grand” më 12 qershor 1999, ditën kur këmbësoria e NATO-s hyri për të parën herë në Prishtinë, pas fushatës 78-ditore të bombardimeve. Një recepsionist i shqetësuar më thotë se të gjitha dhomat janë zënë dhe kështu do të jetë për një kohë të gjatë.

Image
“Grandi” tani është në likuidim, ndërsa asetet e tij, të cilat përfshijnë një koleksion të çmuar të artit modern, do të shiten ose të vendosen në muze në mënyrë që t’i gjendet pronari i ri dhe që hoteli të mund të rindërtohet nga e para

Qyteti asokohe ishte i mbushur me të huaj që kërkonin një vendqëndrim – gazetarë perëndimorë, oficerë ushtrie, punëtorë humanitarë dhe zyrtarë evropianë. Ne të gjithë kishim shkuar me ngut në Prishtinë për të qenë dëshmitarë të fundit të hegjemonisë serbe dhe lindjes së asaj që Kombet e Bashkuara dhe aleatët evropianë shpresonin se do të ishte një shtet i ri prosperues, i kapur vendosmërisht pas Perëndimit dhe shtigjeve të tij.

Një pjesë kritike e këtij plani ishte dështimi i programit të privatizimit të aseteve shtetërore të ish-Jugosllavisë, si hoteli “Grand”. I nxjerrë në shitje më 2006, hoteli u ble nga një kompani e errët që pagoi vetëm 8 milionë euro por premtoi, si pjesë e marrëveshjes, të investojë edhe 20 milionë euro të tjera.

Investimi i premtuar nuk u realizua kurrë, ndërsa më 2012, Agjencia Kosovare e Privatizimit e anuloi shitjen – dhe i mbajti paratë që i kishte marrë. Planet për gjetjen e një blerësi tjetër më pas u katandisën në një betejë të gjatë ligjore, pasi Behgjet I. Pacolli, një milioner zviceran me prejardhje nga Kosova, i cili tani është ministër i Jashtëm i shtetit, njoftoi se kompania që ai drejton e padit Qeverinë rreth shitjes fillestare. Hoteli tani është në likuidim, ndërsa asetet e tij, të cilat përfshijnë një koleksion të çmuar të artit modern, do të shiten ose të vendosen në muze në mënyrë që t’i gjendet pronari i ri dhe që hoteli të mundë të rindërtohet nga e para. Hoteli ka rreth 500 nëpunës të mbetur në regjistra qysh nga koha kur Kosova po kontrollohej nga Serbia. I gjithë stafi serb iku pas hyrjes së NATO-s. Rreth 80 pjesëtarë të stafit, që të gjithë shqiptarë, tani punojnë aty.

Pacolli llogarit që se duhen se paku 50 milionë dollarë që “Grandi” të jetë përsëri i madh. Shton se mbase nuk është hoteli më i keq në botë, por rangohet nga fundi i listës.

“Është përnjëmend i tmerrshëm”, thotë ai. “Si mund të rrini aty? Si mund ndokush të qëndrojë aty?”