Ndryshon certifikimi për bluzat e bardha - Vendimi i qeverisë: Cikli do jetë individual, numri i krediteve që duhen mbledhur

Ndryshon certifikimi për bluzat e bardha – Vendimi i qeverisë: Cikli do jetë individual, numri i krediteve që duhen mbledhur

Qeveria ka ndryshuar kriteret që duhet të përmbushin mjekët, infermierët dhe farmacistët për t’u certifikuar. Sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave, që mban datën 5 maj, tashmë ciklet e edukimit në vazhdim nuk do të jenë 4-vjeçare, por programi i certifikimit, do të organizohet në cikël individual që përputhet me afatin kohor të licencimit, brenda të cilit profesionistët e shëndetësisë duhet të përmbushin kriteret. Ndërkohë që, brenda një cikli individual, mjekët duhet të mbledhin një numër jo më të vogël se 150 kredite të edukimit në vazhdim, stomatologët, farmacistët e ndihmës farmacistët 75 kredite, ndërsa infermierët e mamitë 50 kredite.

Deri më tani, cikli i ricertifikimit zgjaste 4 vjet, ndërkohë që mjekët duhet të mblidhnin një numër jo më të vogël se 120 kredite të edukimit në vazhdim, stomatologët dhe farmacistët e ndihmësfarmacistët 60 kredite, ndërsa infermierët e mamitë 40 kredite. Pjesëmarrja në aktivietet të edukimit në vazhdim është një detyrim për profesionistët e shëndetësisië, të cilët nëse nuk mbledhin numrin e detyrueshëm të krediteve, duhet t’i nënshtrohen provimit të certifikimit.

Ndërkaq, vendimi i ri i qeverisë ka hequr dhe detyrimin e deritanishëm, që saktësonte se kreditet e përfituara nga aktivitete të edukimit në vazhdim të lidhura drejtpërdrejt me specialitetin e profesionistit duhet të përbënin të paktën 50% të numrit të përgjithshëm të krediteve të raportuara nga profesionisti. Në programin e ricertifikimit përfshihen të gjithë këta profesionistë (shtetas dhe të huaj), që ushtrojnë detyrën në institucionet publike ose private të kujdesit shëndetësor parësor, dytësor dhe terciar dhe ata të institucioneve akademike shëndetësore. Në program nuk përfshihen vetëm profesionistët që punojnë në administratë.

Ola Mitre / SCAN

 

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.