“Në 7 vite shkundëm pluhurin e harresës në Tropojë”

“Në 7 vite shkundëm pluhurin e harresës në Tropojë”

Turistët vendas dhe të huaj u mirëpritën këtë sezon turistik në parkun kombëtar të Valbonës  nga Qendra e Zhvillimit të Turizmit.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga zyrë turistike, ndërsa theksoi se në këto 7 vjet kemi shkundur pluhurin e harresës së turpshme të atyre që Tropojën e kanë shfrytëzuar veç për vota.

“Mirëmëngjes dhe me Qendrën e re turistike të Valbonës, pjesë e programit të qendrave mikpritëse të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, e cila ka hapur dyert për turistët që të shijojnë mrekullitë e Tropojës së bukur, ku në këto 7 vjet kemi shkundur pluhurin e harresës së turpshme të atyre që Tropojën e kanë shfrytëzuar veç për vota e luftra absurde politike, ju uroj një të dielë të qetë”, – tha Rama.

Kjo qendër turistike u ndërtua nag Fondi Shqiptar i Zhvillimit me financim të qeverisë shqiptare dhe Bankës së Këshillit të Europës.

Turizmi malor është elementi bazë që mban të gjithë veprimtarinë e zonës. Për turistët e shumtë që vizitojnë Valbonën ka terrene dhe atraksione të reja ende për tu eksploruar, duke nxitur kështu aventurat turistike si dhe iniciativat vendase, për të ofruar kushte dhe shërbime dinjitoze, në prezantimin e zonës.

Lugina e Valbonës është shpallur Park Kombëtar në janar të 1996. Ky park ka një sipërfaqe prej 8000 hektarësh. Konsiderohet si mrekullia e Alpeve. Ndodhet 25-30 km në veri – perëndim të qytetit Bajram Curri, qendra e rrethit të Tropojës.

Kufizohet me Parkun Kombëtar të Thethit dhe zonën natyrore të mbrojtur”Lumi i Gashit”. Territori i saj përshkohet nga rruga automobilistike Bajram Curri-Dragobi-Valbonë e Çerem.

Ka maja të larta e të thepisura dhe për çdo stinë ndërron koloritin e ngjyrave dhe duke paraqitur një dinamikë të jashtëzakonshme imazhesh në kushtet e një lugine plot të papritura e me shumë labirinte.

Parku Kombëtar i Valbonës ka vlera të larta shkencore, turistike, shoqërore kuruese, të cilat pasurohen me një biodiversitet me rëndësi kombëtare dhe më gjerë./ atsh/ KultPlus.com