Në Austri përkujtohen me nderim martirët e kombit shqiptar

Në Austri përkujtohen me nderim martirët e kombit shqiptar

Është bërë e ditur se ambasadori i Republikës së Shqipërisë dhe i Republikës së Kosovës në Austri përkatësisht Roland Bimo dhe  Lulzim Pllana, përkujtuan me nderim e respekt sakrificën supreme të martirëve të kombit, viktima të mizorisë naziste, që humbën jetën në kampin famëkeq të përqëndrimit në Mauthauzen, transmeton KultPlus.

Me mbishkirmin „Në kujtim të të gjithë të rënëve, viktima të mizorisë naziste dhe „I paharraur kujtimi i shqiptarëve të rënë në kampet naziste“, në Memorialin e kampit në qendër të sheshit famëkeq të apelit, u vendosën kurora me lule në emër të Republikës së Shqipërisë nga Z. Bimo dhe në emër të Republikës së Kosovës nga ambasodori Lulzim Pllana.

Po ashtu, ambasadorët Bimo e Pllana vizituan dhe vendosën lule në Memorialin e Republikës së Shqipërisë dhe Pllakën Përkujtimore të Republikës së Kosovës inaguruar para disa vitesh në „murin e akuzës“, në kujtim e respekt të viktimave të kombit shqiptar.

Morën pjesë gjithashtu atasheu policor i Republikës së Kosovës Kolonel Bekim Halilaj, si dhe studjuesi Hazir Mehemti, me eksperiencë e kontribut të veçantë në kërkime shumëvjeçare për shqiptarët e rënë në këtë kamp.

Gjatë kësaj ceremonie të veçantë për shkak të kufizimeve të impnuara nga rregullat për frenimin e pandemisë, Ambasadorët Bimo dhe Pllana u pritën dhe shoqëruan nga Z. Bernhard Muehleder, përgjegjës i seksionit të edukimit. /albinfo/ KultPlus.com