“Në Kosovë ka shantazh të demokracisë, Thaçi po ngutet që Kurti të largohet nga pushteti”

“Në Kosovë ka shantazh të demokracisë, Thaçi po ngutet që Kurti të largohet nga pushteti” – Lajmet e fundit



Analisti Vigan Qorrolli, duke komentuar situatën aktuale politike ka thënë se ka shantazh të demokracisë në Kosovë.

Ai ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shkelur Kushtetutën duke ia dhënë një partie tjetër të drejtën për të caktuar mandatarin për kryeministër.

Qorrolli në Interaktiv të KTV ka thënë se në një situatë të tillë, presidenti nuk është palë e ndonjë strukture politike.

“Ka një shantazh të demokracisë së Kosovës. Kushtetuta e përcakton se në rast të dështimit të zgjedhjes së kryeministrit për herë të parë apo arsye të tjera, posti i tij mund të jetë vakant, nuk e përcakton qartë në rast të mocionit apo ndonjë rasti tjetër. Është hera e parë që ndodhë kjo situatë që një qeveri të bëhet për herë të dytë sipas nenit 95 dhe kësisoj kemi në mungesë të një norme të qartë kushtetuese e cila përcakton një afat të qartë se kur fituesi i zgjedhje i përgjigjet Presidentit. Në një situatë të tillë, presidenti nuk është palë e ndonjë strukture politike. Ai ka përdorur një diskrecion që nuk e ka”, ka thënë ai.

Sipas tij, Thaçi ka qenë në nguti dhe nuk e ka pritur afatin e arsyeshëm. Veprimet e presidentit, ai i ka quajtur politike.

“Gjithçka është politike sepse presidenti ka qenë tradicionalisht lojtar politik, dhe tash duke u munduar t’i imponojë vendimet e tij, dëshiron të bëhet palë. Ka një nguti që lidhet me gjithçka që i takon largimit të Kurtit nga pushteti. Me Kushtetutë parashihen disa palë të autorizuara. Nëse ndodhë dekretimi i LDK-së atëherë do të mund ta dërgonte në Gjykatë qeveria në detyrë”, ka thënë ai.

Ai tutje thotë se ka keqkuptim të demokracisë. Sipas tij, demokracia kushtetuese nënkupton që presidenti nuk mundet të thërrasë partitë politike dhe t’i shterojë të gjitha mundësitë dhe të shoh kush është i gatshëm t’ia jap nënshkrimet.

“Këtë nuk e ka lejuar Gjykata Kushtetuese. Ai ja jep të drejtën të parit që ka dalë në zgjedhje. Mbi këtë bazë Gjykata Kushtetuese ka thënë se presidenti nuk ka në diskrecion refuzimin apo caktimin e një emri të përveçëm por vetëm dekretimin”, ka thënë ai.

Qorrolli thotë se është abuzuar diskrecioni, duke shtuar se do të duhej të ishte një afat më i gjatë brenda së cilit, Qeveria në detyrë do të gjente një kandidat për mandatar.

“Heqja dorë ose vullneti për ta kryer një punë të caktuar, është e vetmja mundësi për t’ia kaluar LDK-së mandatin. Kurti nuk ka hequr dorë. Kjo është një valle ku duhen dy palë. Presidenti ndodhet në shkelje kushtetuese se pse nuk e ka realizuar objektivin e vetëm që ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese, që është heqja dorë vullnetarisht nga e drejta e mandatarit”, ka thënë ai.