Në Malishevë qe 14 ditë nuk është asnjë rast i ri me Covid-19

Në Malishevë qe 14 ditë nuk është asnjë rast i ri me Covid-19 – Lajmet e fundit



Në Komunën e Malishevës sot janë bërë 14 ditë që nuk është shënuar asnjë rast i ri me Covid-19 dhe të gjitha mostrat e testeve të bëra, kanë rezultuar negativ.

Kështu ka njoftuar komuna e Malishevës përmes një postimi në Facebook, ku ka bërë të ditur se 72 raste janë shëruar plotësisht ndërsa tre pacientë aktivë me Covid-19 pritet të shërohen plotesisht gjatë ditëve në vijim, transmeton Zeri.info.

“Sot u mbushën 14 ditë, apo dy javë, që në Komunën e Malishevës, nuk është regjistruar asnjë rast i prekur me COVID-19, dhe të gjitha mostrat e testeve të bëra, kanë rezultuar negative, duke e rritur kështu shpresën se nuk do të ketë raste të reja. Aktualisht në Komunën e Malishevës, janë edhe tre pacientë aktivë me COVID-19, të cilët presim që në ditët në vijim të shërohen plotësisht, sikur edhe 72 rastet e tjera që janë shëruar”, thuhet në njoftimin e Komunës së Malishevës.

Por, Komuna thotë së kjo situatë e qetësisë me COVID-19 nuk do të thotë se qytetarët janë plotësisht të mbrojtur nga koronavirusi, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë t’u përmbahen masave të IKSHPK-së.

Për këtë qëllim, sonte pas publikimit të rezultateve të fundit të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, tha se sot u bënë dy javë që nuk kemi raste të reja me COVID-19, por “kjo nuk na jep asnjë të drejtë që të lirohemi nga kjo gjendje, pasi ende jemi në situatë të gjendjes emergjente në shëndetësi, për shkak të pandemisë së COVID-19 dhe virusi ende është përreth nesh”.

Gjendja me COVID-19, në Komunën e Malishevës, është kjo: 76 të prekur me COVID-19, prej tyre 72 janë shëruar plotësisht, 3 persona janë ende aktivë dhe në proces të shërimit të plotë, ndërsa 1 person ka rezultuar me fatalitet. /Zëri