Nëna e mërgimtarit që vdiq sot në aksident: Do të jetoj vetëm për nipat e mbesat

Nëna e mërgimtarit që vdiq sot në aksident: Do të jetoj vetëm për nipat e mbesat – Lajmet e fundit



Para dyerve të Klinikës Emergjente të QKUK-së në temperatura të larta po qëndron nëna e Shemsedin Sopajt. Aty po pret ndonjë lajm për gjendjen shëndetësore të dy nipërve (fëmijëve të djalit), të cilët po trajtohen që nga orët e para të mëngjesit. Ata u aksidentuan derisa po vinin në vendlindje nga Sllovenia për t’i kaluar pushimet verore. Në këtë aksident nënës nga fshati Jançisht i Malishevës i vdiq djali Shemsedini, bashkë me gruan e tij, Mirveten. Çifti la pas tre fëmijë.

“Hatri i qatyne fmive unë kam me qëndru…U nisë pa gjumë prej Sllovenisë, t’u punu. Fëmijët du me i afru. Du me ba gajret hatri i tyne”, kështu rrëfen me pak fjalë për rastin e rëndë nëna e Shemsedin Sopajt, i cili, bashkë me gruan, Mirveten, vdiqën pas përfshirjes në një aksident trafiku derisa nga Sllovenia po vinin për në Kosovë.

Kjo grua e rreth të 80-ave po qëndronte e fortë përballë dhembjes së madhe që po e përjetonte.Në një bisedë për Nacionalen, nëna e Shemsedinit tashmë të ndjerë tregon për historinë e rëndë e të dhimbshme që kanë si familje.

“Hala 22 vjet e varrtë e djalit tjetër s’i kem harru. Djali i madh mu ka vra në luftë. Kur është vra ai, ky djali që u aksidentu (Shemsedini) pati bërtit: ‘O vlla, më le vet’, i pati thanë”, thotë kjo nënë për plagët shpirtërore që po i bart tash e shumë vjet.

“Me kanë qe çohet, tash isha shku e ju kisha thanë: shpirtin tem merre e k’ta lene. Du me ba gajret, qysh kom ba për të madhin”, thotë nën rënkim nëna që i humbi djalin e gruan e djalit në aksidentin që ndodhi mbrëmë në magjistralen Podujevë – Prishtinë në orët e hershme të 29 korrikut.

Si ndodhi e gjithë kjo ngjarje e rëndë?

Shemsedin Sopaj, bashkë me gruan e tij, Mirveten, e dy fëmijët e tyre, E.S., 5 vjeç, dhe S.S., 3 vjeç, nga Sllovenia morën rrugë për në Kosovë. Por ky çift nuk arriti që t’i takonte familjarët, të cilët po i prisnin me padurim t’i përqafonin. Shemsedini u përfshi në një aksident trafiku me një autobus në orët e para të mëngjesit të 29 korrikut.

Plagëve, ai, bashkë me gruan e tij, Mirveten, nuk arritën që t’u bëjnë ballë. Të lënduar mbetën rëndë fëmijët e tyre.Djali i çiftit tashmë të ndjerë pritet që t’i nënshtrohet një operacioni, derisa vajza po i nënshtrohet ekzaminieve të tjera mjekësore.

Gjendja e tyre shëndetësore, sipas mjekëve, raportohet të jetë e rëndë.

“Jemi duke e monitoru gjendjen e tyre shëndetësore. Ua kemi ba të gjitha analizat. Po presim t’i përsërisim disa. Gjendja e tyre është stabile për momentin, por e rëndë. Të dy këta ende po trajtohen në Klinikën Emergjente”, deklaroi drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla.Mirvetja, e cila vdiq në aksident, para një jave e varrosi nënën

Mirvetja, që mbeti mbrëmë e vdekur në aksidentin e tmerrshëm në Podujevë derisa po vinte nga Sllovenia, para pak ditëve kishte qenë në Kosovë.

Ajo në vendlindje erdhi për ta varrosur nënën e saj. Me dhembje ishte nisur për në Slloveni për t’i marrë dy fëmijët e tjerë për të ardhur serish në Kosovë.