Nënshkruhet Marrëveshja e Garancisë dhe Huasë me BERZH / 100 milionë euro për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave

Nënshkruhet Marrëveshja e Garancisë dhe Huasë me BERZH / 100 milionë euro për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave

U nënshkrua sot marrëveshja e garancisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për marrëveshjen e huasë ndërmjet Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për linjën e kredisë për ASD.

Të pranishëm gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes ishin edhe Kryeministri i Shqipërisë Z. Edi Rama dhe Presidentja e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Znj. Odile Renaud-Basso. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë znj.Anila Denaj gjatë fjalës së mbajtur tha se: “Firmosja e kësaj marrëveshje është përmbyllja e suksesshme e një procesi të gjatë bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë Shqiptare, ASD dhe BERZH. Linja e kredisë prej 100 milion EUR për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave është një shenjë besimi dhe mbështetjeje e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ndaj ekonomisë shqiptare dhe institucioneve të sektorit financiar.” Kjo linjë kredie, forcon skemën e sigurimit të depozitave dhe rrit besimin e publikut në sektorin bankar financiar. Gjithashtu rrit nivelin e mbrojtjes së depozituesve, duke përmirësuar nivelin e mbulimit si në nivel depozitash të siguruara, ashtu edhe në nivel institucionesh financiare, që janë pjesë e skemës së sigurimit. Nëpërmjet kësaj marrëveshje, BERZH po mbështet me një linjë kredie prej 100 milionë euro rritjen e sigurisë në sektorin bankar, me garanci të Republikës së Shqipërisë. Agjencia e Sigurimit të Depozitave, është në pozita financiare të forta dhe kjo linjë kredie, dëshmon besimin e institucioneve ndërkombëtare, por njëkohësisht, tregon edhe kujdesin për
përmbushjen ligjore të detyrimeve në mbrojtje të depozituesve dhe sistemit financiar.

Gjatë vitit 2020, Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Banka e Shqipërisë kanë marrë masa mbështetëse për sektorin bankar me synim përballimin e situatës së krijuar nga pandemia
COVID-19. Nga ana tjetër Agjencia e Sigurimit të Depozitave duke iu përmbajtur gjithmonë objektivave të saj ligjorë ka ndërmarrë hapa në mbështetje të stabilitetit të sistemit bankar e financiar.
Linja e kredisë është një mekanizëm i njohur dhe i rekomanduar në fushën e sigurimit të depozitave. Këtë mekanizëm e kanë përdorur edhe vendet e rajonit dhe ASD ka përvojë në këtë
drejtim.

Më tej, ASD do të asistohet edhe nga një program bashkëpunimi teknik prej 270,000 € i financuar nga Fondi i Bashkëpunimit Teknik të Luksemburgut (ODA) në përmirësim të kapaciteteve të institucionit.

SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.