Nëntë pacientë me COVID-19 në Infektivë, njëri në gjendje kritike për jetën

Nëntë pacientë me COVID-19 në Infektivë, njëri në gjendje kritike për jetën – Lajmet e fundit



Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka bërë të ditur numrin e personave të infektuar me koronavirus të cilët janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive në QKUK.

Përmes një postimi në “Facebook”, Hoti ka treguar se gjithsej nëntë pacientë me këtë virus po trajtohen në Infektivë, ndërsa katër prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore, përcjell “Zëri.info”.

Nga katër personat me gjendje të rënduar, sipas këtij raporti, një është duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, kurse tre të tjerë janë në mjekim intensiv, njëri nga ta me ventilim mekanik i cili është në gjendje kritike për jetën.

“Në Klinikën Infektive, QKUK, sot me 22. 05.2020, janë të hospitalizuar 11 pacientë. Prej tyre të sëmurë me Covid- 19 janë gjithsej 9 pacientë. Nga 9 pacientët e infektuar me Covid 19, 5 janë në gjendje stabile, 1 është me gjendje të rënduar dhe trajtohet në repart me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive si dhe 3 të tjerë janë në Repartin e Mjekimit Intensiv duke u trajtuar (2 raste janë në gjendje të rëndë me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive si dhe 1 rast është në gjendje kritike dhe në ventilim mekanik)”, ka thënë Hoti, duke theksuar se Klinika është në pritje të rezultateve për 2 pacientë.

Ndërkohë mbrëmë në rezultatet e 24-orëve të fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), kanë bërë të ditur se vetëm një rast ka rezultuar pozitiv. Ndërkaq, të shëruar nuk pati asnjë. /Zëri