“Nesër afati i fundit”, sindikalistët paralajmërojnë grevë nëse Qeveria nuk u kthen përgjigje për kërkesat e tyre

“Nesër afati i fundit”, sindikalistët paralajmërojnë grevë nëse Qeveria nuk u kthen përgjigje për kërkesat e tyre – Lajmet e fundit



Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), i ka dhënë afat Qeverisë së Kosovës deri më 17 gusht që t’u përgjigjet kërkesave të tyre, në të kundërtën paralajmërojnë se do të mbajnë grevë të përgjithshme.

Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës (SBASHK), Vjollca Shala, në një prononcim për Telegrafin, deklaroi se nëse ekzekutivi nuk reflekton, kryetari i BSPK-së është i autorizuar për të shpallur grevën.

Një gjë e tillë sipas saj, është vendosur në mbledhjen e fundit të mbajtur nga sindikalistët.

“Është mbajtur një mbledhje e BSPK-së ku është vendosur që nëse deri më 17 gusht nuk marrin përgjigje nga Qeveria lidhur me kërkesat tona, atëherë kryetari i BSPK-së shpall grevë të përgjithshme nesër eventualisht pasnesër”, deklaroi Shala.

Ndryshe, kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, është pritur në takim nga Ministri i Financave, i Punës dhe i Transfereve, Hekuran Murati, më 7 korrik.

Në këtë takim, BSPK-ja ka njoftuar se Hykolli i ka parashtruar ministrit kërkesën për subvencionimin e punëtorëve me nga 100 euro shtesë në pagë, deri në miratimin e Ligjit të Pagave.

Po ashtu, është bërë e ditur se ai e ka informuar Muratin se BSPK-ja do të ndërmarrë veprime sindikale nëse ekzekutivi nuk vepron.

Ndërkaq, kërkesat e kahmotshme të sindikatave janë:

Rritja e pagave për 100 euro për të gjithë të punësuarit që marrin paga nga buxheti i Kosovës deri sa të përmbushen kërkesat e mëposhtme.

Miratimi i Ligjit të Pagave.

Rritja e rrogës minimale

Fillimi i zbatimit të Ligjit për Sigurimin Shëndetësor

Plotësim-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale

Të ndryshohet neni në Ligjin e Sigurisë Pensionale të vitit 1983, sipas të cilit, kërkohet që të ketë 15 vjet kontribut në skemat pensionale para datës 01.01.1999. /telegrafi