Nga Vërmica, Zemaj e Ramadani paralajmërojnë rikthim të masave antikoronavirus nëse nuk respektohen rekomandimet

Nga Vërmica, Zemaj e Ramadani paralajmërojnë rikthim të masave antikoronavirus nëse nuk respektohen rekomandimet – Lajmet e fundit



Kosova nga sot ka hapur plotësisht kufirin me Shqipërinë dhe kufijtë e tjerë. Qytetarët që hyjnë në Kosovë nuk do të jenë të detyruar të dëshmojnë testimin paraprak dhe vetizolimin, masë kjo që ishte në fuqi deri më sot.

Për të përcjellë nga afër gjithë procesin e rihapjes së kufirit me Shqipërinë në pikëkalimin kufitar në Vërmicë ka qëndruar sot edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili ka ftuar gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë t’i respektojnë udhëzimet e institucioneve shëndetësore, transmeton “Zeri.info”.

“Të jemi korrektë, të respektohen masat dhe për të tjerat do të përkujdesemi ne. Mbani maskat dhe distancën. Të ruajmë shëndetin bashkërisht dhe të mundësojmë lëvizjen e lirë, ashtu siç na ka hije”, ka thënë Zemaj.

“Unë sot jam bashkërisht me të gjitha kapacitetet që i ka Republika e Kosovës, që të shohim edhe në praktikë se si po qëndron çështja e lëvizjes së lirë dhe njëherësh edhe ajo e ruajtjes së shëndetit të qytetarëve që hyjnë e dalin nga Kosova. Andaj ju lutem edhe juve dhe atyre që hyjnë në Kosovë të përçoni mesazhin e respektimit të masave të dhëna nga IKSHPK-ja, MSH-ja dhe Qeveria e Kosovës”, tha Zemaj gjatë vizitës në Vërmicë.

Po ashtu edhe drejtori i IKSHPK-së, i cili e ka shoqëruar Zemajn në këtë vizitë, ka bërë thirrje që të respektohen këshillat dhe udhëzimet, duke paralajmëruar që në rast se shkelen ato janë të detyruar të marrin masa më rigoroze, që do të kufizonin lëvizjen e lirë.

“Kalimi i kufirit në mënyrë të lirë nuk nënkupton që ne do të rrezikojmë shëndetin e qytetarëve, nënkupton lëvizjen e lirë, duke u mbrojtur dhe duke respektuar masat. Nëse IKSHPK-ja e sheh që qytetarët nuk po i përfillin këto rekomandime, do të ndërmarrë masa më rigoroze deri në kufizime të ndryshme të lëvizjes”, ka thënë Ramadani.

Kosova ka hapur kufijtë tokësorë nga 1 qershori, por me dy kushte: testin e COVID-19 dhe vetizolimin prej 7 ditësh për të gjithë ata që hynin në Kosovë. Kjo kishte ngjallur edhe reagime të shumta, sidomos për kufirin me Shqipërinë. /Zëri