Ngritje e lehtë e çmimeve në janarin 2020

Ngritje e lehtë e çmimeve në janarin 2020

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit (IHÇK) për muajin janar 2020 (viti bazë 2015=100).

Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0,8% në muajin janar 2020, ndërsa shkalla vjetore e inflacionit e matur në muajin janar 2020 me muajin janar 2019 ishte 1,5%.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0,8% në muajin janar 2020 krahasuar me muajin dhjetor 2019. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: pemët (7,7%), perimet (16,6%), produkte mjekësore, aparaturë dhe pajisje (1,5%), shërbimet ambulatore (3,2%), shërbimet hoteliere (1,4%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,9 për qind në IHÇK-it. Ndërsa rënie e çmimeve vërehet te nëngrupi i pijeve alkoolike (-2.2%) me një ndikim të këtij nëngrupi prej -0.1 për qind në IHÇK-it, si dhe te disa nëngrupe, çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera kryesisht mbetën të pandryshuara pa ndonjë ndikim në IHÇK-it.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 1,5% në muajin janar 2020 krahasuar me muajin janar 2019. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: buka dhe drithërat (2,7%), mishi (2,6%), pemët (12,1%), produkte të ndryshme ushqimore, kripëra, erëza etj. (3,4%), kafja, çaji dhe kakao (10,6%), ujë, pije joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (0,8%), mobilje dhe orendi, qilimat dhe mbulesa dyshemeje të tjera (1,5%), pajisje shtëpiake (2,3%), enët, takëmet dhe mjetet e ndryshme të kuzhinës (3,5%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (2,2%), produkte mjekësore, aparaturë dhe pajisje (2,8%), shërbimet ambulatore (5,6%), blerja e automjeteve (2,0%), përdorimi i pajisjeve për transportin personal (2,7%)-(ngritje e çmimeve të naftës dhe benzinës), shërbimet hoteliere (2,3%), shërbimet e akomodimit (6,0%), gjërat personale (2,9%), sigurimet (19,3%) – (ngritje e çmimeve të sigurimeve të automjeteve), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1,9 për qind në IHÇK-it. Ndërsa rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet: perimet (-8,7%), energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (-1,9%) – (rënie e çmimeve të druve për ngrohje), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,4 për qind në IHÇK-it. Si dhe te disa nëngrupe, çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera kryesisht mbetën të pandryshuara pa ndonjë ndikim në IHÇK-it.

Për më shumë informata lidhur me Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për janar 2020, vizitoni: http://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves /ekonomi/çmimet