Njeriu që pretendon se është krijuesi i Bitcoin fiton betejën gjyqësore

Njeriu që pretendon se është krijuesi i Bitcoin fiton betejën gjyqësore

Burri i cili pretendon se është personi që ka shpikur bitcoin ka fituar një çështje të madhe gjyqësore në SHBA duke i shpëtuar një dëmshpërblimi në miliarda dollarë të partnerit të tij të biznesit.

Shkencëtari kompjuterik Australian Craig Wright në 2016-ën përmes një postimi thoshte se ai është Satoshi Nakamoto, pseudonimi i personit ose personave që kanë zhvilluar bitcoin.

Shumë në komunitetin e kriptomonedhave janë skeptikë për pretendimet e Wright sepse nuk ka transferuar kurrë asnjë prej bitcoinëve të parë të gërmuar nga Satoshi.

Ditën e Hënë Wright fitoi betejën gjyqësore në një gjykatë të Miami rreth një pretendimi ngritur nga familja e partnerit të tij të biznesit David Kleiman.

Në këtë mes janë 1.1 milionë bitcoin të gërmuar dhe mbajtur nga Satoshi të cilët aktualisht kanë vlerën prej 54 miliardë dollarë. Padia thoshte se Kleiman është bashkëkrijuesi i bitcoin së bashku me Wright.

Gjykata Amerikane mbajti qëndrim në favor të Wright i cili kishte refuzuar të paguante familjen e tij. Megjithatë Wright duhet të paguajë 100 milionë dollarë si kompensim për shkeljen e të drejtave të pronësisë së W&K Info Defense Research LLC, një kompani e themeluar prej dy personave në fjalë.

Misteri që rrethon themelimin e bitcoin është arsyeja pse kjo çështje gjyqësore mori kaq shumë vëmendje. Në 2008-ën, sapo kriza financiare kishe filluar të godiste tregjet, Satoshi Nakamoto publikoi studimin e tij prej 9 faqesh ku fliste për vizionin e bitcoin dhe sesi do të funksiononte jashtë kontrollit shtetëror.

Pak muaj më vonë Nakamoto lëshoi një softuer me të cilin përdoruesit mund të gërmonin kriptomonedha. Gërmimi është një proces ku krijohen monedhat e reja dhe realizohen transaksionet. Asokohe gërmimi i një blloku shpërblehej me 50 bitcoin ndërsa sot duhen pajisje të specializuara për ta bërë këtë dhe shpërblimi për bllok është kufizuar në 6.25 bitcoin.

Nakamoto, që mund të jetë një person i vetëm apo një disa kodues, qëndruan në skenë deri në 2011 kur ai u tërhoq nga projekti dhe përmes një e-maili dërguar një zhvilluesi thoshte se kishte vendosur të angazhohej me tjera gjëra. Përpara se të zhdukej, krijuesi enigmatik besohet se ka gërmuar 1.1 milionë bitcoin.

Wright kishte thënë se nëse fiton gjyqin do të provonte pronësinë e këtyre 1.1 milionë bitcoinëve. Madje kishte premtuar të dhuronte pjesën më të madhe për bamirësi. /PCWorld Albanian