“Novosti” thotë se pati përplasje të ashpër mes Osmanit dhe Vuçiqit në samitin në Slloveni

“Novosti” thotë se pati përplasje të ashpër mes Osmanit dhe Vuçiqit në samitin në Slloveni – Lajmet e fundit

Foto: Aleksandar Vuçiq / Instagram


Samiti, që po zhvillohet në Bërdo-Brijuni të Sllovenisë, ku po marrin pjesë presidentët e shteteve rajonale, raportohet se po kalon nëpër një situatë të tensionuar.

Siç raporton mediumi serb “Novosti”, medium ky i kontrolluar nga Vuçiqi, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe anëtari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq, “e kanë sulmuar shumë ashpër” presidentin serb Vuçiq.

Burimet e këtij mediumi thonë se debati ka nisur kur pjesëmarrësit e Samitit qysh në fillim kanë ndërmarrë një iniciativë që të miratohen konkludimet ku thuhet se kufijtë në rajonin tonë janë të pandryshueshëm, për çka Vuçiqi doli kundër.

“U përsëritën platformat e vjetra për ta fajësuar Beogradin, ndërsa shefi i shtetit serb u është përgjigjur ashpër Osmanit dhe Xhaferoviqit, të cilët bashkë e sulmuan atë”, thotë ky medium nën ndikimin e plotë të Vuçiqit.