Nxënësit munguan gjatë kompensimit të orëve, kërkohet strategji më e mirë për këtë vit shkollor

Nxënësit munguan gjatë kompensimit të orëve, kërkohet strategji më e mirë për këtë vit shkollor – Lajmet e fundit



Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka njoftuar se 18 ditët e humbura të viti shkollor 2021-2022 do të kompensohen.

Mirëpo, mësimdhënësit kanë deklaruar për Ekonomia Online se duhet të mendohet një strategji e mirë, pasi kompensimi i orëve të humbura gjatë vitit të kaluar shkollor është përcjell me shumë mungesa të nxënësve.

Mësimdhënësja në Shkollën Model “Qamil Batalli”, Valdrinë Nekoviqi, tha se mësimdhënësit gjithmonë janë treguar të gatshëm për zëvendësimin e orëve të humbura mësimorë.

Ajo thotë se zëvendësimi orëve nuk është problem për të, pasi edhe para pandemisë kanë mbajtur orë plotësuese.

“Për mësimdhënësit gjithherë kanë treguar gatishmëri për zëvendësimin e orëve, jo vetëm tani që kemi humbur shumë, por edhe viteve tjera kur kemi pasur raste të humbjeve të orëve. Kjo nuk është diçka e re për ne, por sfiduese do të jetë për ne nëse mendohet që orët të kompensohen në fund të qershorit, e që i bie që janë shumë ditë të humbura dhe është vapë e madhe, dhe jo të gjitha shkollat kanë kushtet të vazhdojnë mësimin edhe gjatë muajit korrik”.

“Sfidë mund të jetë nëse bëhet zëvendësimi i të shtunave, jo për ne, por fëmijët nuk kanë tregu shumë interes për të mbajtur të shtunave mësim, ka pasë shumë mungesa. Mënyra më e dëshirueshme është zëvendësimi gjatë pushimit pranveror por janë vetëm pesë ditë, por duhet të gjejmë mënyra më të mira nga organet përkatëse për t’i kompensuar këto orë”.

Tutje, ajo tha se janë të përgatitur dhe kanë metodologjitë për të punuar me nxënësit varësisht ngecjet që kanë në mësimnxënie. 

“Çdo fëmijë i ka mënyrat e veta të mësuarit, dikush ka ngecje pak më shumë. Por ne kemi metodologjitë tona që i përdorim gjatë mësimit që janë mësimdhënia e diferencuar, ku mundohemi që më bazë të aftësive të tyre t’i organizojmë aktivitete e tyre në klasë, pastaj fëmijët të cilët kanë ngecje në mësim, mbahet mësimi plotësues në mënyrë që të arrihen rezultatet të cilat i synon mësimdhënësi”.

Po ashtu, edhe mësimdhënësi në Shkollën Fillore “Bajram Curri”, në Sllatinë e Madhe, Fidan Hasani, tha se duhet të përpilohet një udhëzim administrativ për t’i trajtuar mungesat e paarsyeshme të nxënësve gjatë kompensimit të orëve të mësimore.

“Rendi e donë që sa herë të ketë humbje të mësimit të zëvendësohen, natyrisht do të preket pushimi dimëror,e pranveror dhe do të kërkohen të shtunat. Përvoja na ka treguar se të shtunave është përcjell me mungesa enorme të nxënësve. Çuditërisht, megjithëse ka pasë mungesa të shumta për shkak të pandemisë, ka shumë të paarsyeshme”.

“Do të thotë në ditët e shtuna kur është bërë zëvendësimi i orëve. Krejt kjo e bën të paqëndrueshëm, funksionimi e mësimit nëpër shkolla. Përveç kësaj kërkohet një udhëzim administrativ që i trajton mungesat e paarsyeshme të nxënësve. E di që është pak me urgjencë, mirëpo mund të bëhet, kjo do të na lehtëson që edhe në shkolla t’i trajtojmë ato mungesa. Krejt këto shkaktojnë probleme në procesin mësimorë”. 

Tutje, ai tha se janë të gatshëm t’i kompensojnë orët mësimore ashtu siç do t’iu kërkohet nga MAShTI.

“Ne do t’i kompensojmë orët tona ashtu siç na kërkohet…As që bëhet fjalë që ne të kërkojmë pagesa shtesë, megjithëse do të jenë të nevojshme, mirëpo e rëndësishme është që të hapen shkollat”. 

Sipas vendimit të fundit mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të fillojë me datën 27 shtator.

Në klasa nuk do të lejohen më shumë se 20 nxënës ndërsa në klasat me më shumë se 20 nxënës, mësimi mbahet në dy grupe. Institucionet parashkollore do të punojnë me kapacitete të plota.

Pas vendimit, ministrja e MAShTI, Arbërie Nagavci, ka thënë se shkollat janë institucionet e para që duhet të hapen dhe të fundit që duhet të mbyllen.

“Arsimi cilësor mund të ofrohet vetëm në shkolla. Prandaj, edhe shkollat janë institucionet e para që duhet të hapen dhe të fundit që duhet të mbyllen”, ka shkruar ajo.

Gjithashtu, Nagavci ka njoftuar se të hënë më 27 shtator do të mbahet mbledhja e task-forcës ku do të qartësohet për kompensimin e orëve të humbura mësimore si rrjedhojë e masave për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19.