Nxiten investimet Izrael-Shqipëri / Shmanget taksimi i dyfishtë për fitimet dhe punën

Nxiten investimet Izrael-Shqipëri / Shmanget taksimi i dyfishtë për fitimet dhe punën

Individët apo bizneset shqiptare apo të Izraelit, të cilët kanë aktivitete biznesi apo të ardhura të tjera që bien nën juridiksionin e legjislacioneve tatimore të të dyja shteteve, do të përjashtohen nga taksimi i dyfishtë i të ardhurave.  Projektligji për Ratifikimin e Konventës ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shtetit të Izraelit “Për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat” “, ka si qëllim që , individi apo personi juridik të mos të tatohet dy herë për të njëjtën të ardhur gjë që mund të krijojë premisa për shmangie të tatimit dhe evazion fiskal.

Kjo konventë nxit kështu edhe investimet e reja mes shteteve si dhe punësimin. Sipas projektligjit, tatimit mbi të ardhurat nga pasuritë e paluajtshme (qiratë apo të ardhura të tjera)  do të paguhet vetëm për shtetin ku ndodhen pasuritë e paluajtshme; fitimet e një ndërrmarrjeje do të tatohen vetëm në shtetin ku ndërrmarrja ka selinë e përhershme;

Shmangia e tatimit të dyfishtë për të ardhurat nga dividentët, nga interesi dhe nga tarifat për licenca bëhet duke e ndarë të drejtën tatimore midis të dyja vendeve; e drejta tatimore për tatimin e të ardhurave nga shitja e pronave të paluajtshme i takon vendit ku ndodhen këto prona të paluajtshme; po ashtu të ardhurat nga punësimi, si pagat, rrogat, dhe shpërblime të tjera tatohen në vendin ku ushtrohet punësimi, përveç kur punësimi realizohet nëpërmjet një baze të qëndrueshme që ky individ ka në shtetin tjetër. Në një rast të tillë të ardhurat që i atribuohen kësaj baze të qëndrueshme do të tatohen në shtetin ku ndodhet baza e qëndrueshme.

Elisabeta Dosku / SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.