Observatori i Prishtinës e hap kupolën për t’i vështruar planetët

Observatori i Prishtinës e hap kupolën për t’i vështruar planetët

Punëtorët e “Astronomy Club of Kosova” së pari, përmes një mekanizmi, hapin një pjesë të kupolës dhe pastaj po përmes një komanduesi, rrotullojnë kupolën deri në atë anë ku mund të shihen më lehtë planetët. Pas kësaj, atyre u mbetet që ta pozicionojnë teleskopin në atë mënyrë që kur syri vendoset në lentën e tij, për të vrojtuar ashtu siç duhet.

“Me të vërtetë, ka shumë të interesuar nga qytetarët, sepse deri para pak kohësh ata nuk e kanë ditur se në Prishtinë ekziston një observator. Ne jemi shumë me fat, sepse Kosova e ka observatorin e saj astronomik prej vitit 1980”, ka thënë Suhel Ahmeti, drejtor dhe bashkëthemelues i “Astronomy Club of Kosova”.

Observatori i Prishtinës iu kthye kryeqytetit muajin e kaluar pas hiç më pak se 35 vjetësh prej kur ai nuk kishte qenë funksional, ndërsa prej 4 gushtit, deri më 7 gusht dyert e tij janë të hapura për publikun e gjerë. Nga aty, qytetarët mund të shohin planetin e Saturnit ose unazën e tij, Jupiterin, katër hënat e Jupiterit, hënën dhe krateret e hënës.

“Kemi filluar me vrojtime publike, për shkak se moti më herët nuk na ka premtuar dhe tashmë veçse ia kanë filluar të dalin planetët, hëna dhe për këtë arsye, ka pasur shumë të interesuar veçmas fëmijë, të cilët janë të impresionuar kur vijnë këtu, sepse shumica prej tyre nuk kanë vrojtuar më parë me teleskop, dhe kështu, përjetojnë një ndjenjë shumë të veçantë”, ka treguar Ahmeti.

Varësisht nga moti, “Astronomy Club of Kosova” do t’i hapë dyert për publikun edhe gjatë ditëve të tjera.

“Për shkak të kushteve atmosferike, jo gjithmonë mund të vrojtosh me teleskop dhe meqenëse disa planetë ngrihen më herët disa më vonë, përmes rrjeteve sociale, ne do t’i njoftojmë qytetarët se kur munden të vijnë ose ata mund të na kontaktojnë dhe ne mund t’u lëmë një termin varësisht se kur janë kushtet më të përshtatshme”, ka shpjeguar ai.

Hyrja në Observator, tash për tash është pa pagesë dhe gjithkush mund ta vizitoja atë, mirëpo kjo gjë nuk do të vazhdojë gjatë. Për shkak të mungesës së financimit dhe nevojës për mirëmbajtje, Observatori i Prishtinës pritet të vendosë një çmim i cili do të jetë i nevojshëm për të hyrë në të. Megjithatë, riaktivizimi i tij deri më tani, është përkrahur nga UNMIKU, Kombet e Bashkuara, Komuna e Prishtinës si edhe nga astronomë të huaj.

“Origjina e kupolës është nga Amerika. Ne kemi arritur ta funksionalizojmë atë me ndihmën e Kombeve të Bashkuara dhe Komunës së Prishtinës si dhe disa donatorëve të huaj. Ka disa astronomë të huaj të cilët janë duke na përkrahur me mjete”, ka bërë të ditur Ahemti.

Në korrik, atëherë kur edhe u mbajt ceremonia e hapjes së Observatorit, ishte përmendur se ai do të pasurohej edhe me një teleskop i cili ishte shumëfish më i mirë sesa ata që i posedojnë sot, por ai nuk ka ardhur ende.

“Jemi duke pritur të na vijë edhe një teleskop tjetër nga Amerika i cili është gjashtëmbëdhjetë inç, Meade Instruments dhe është i llojit katadioptrik. Këtë e kanë financuar disa bashkatdhetarë dhe UNMIKU. Arsyeja se pse teleskopi nuk ka ardhur ende është për shkak situatës së krijuar pra, për shkak të luftës në Ukrainë, ka ndryshuar komplet mënyra e transportit dhe gjësendeve nëpër botë, kështu që kjo e pamundëson që të vijë më shpejt”, ka thënë Ahmeti në rolin e përfaqësuesit të Observatorit.

Për shkak të këtyre arsyeve, ata janë duke kërkuar ende mënyra alternative për ta sjellë sa më shpejt atë, por që sipas Ahmetit, teleskopi i ri pritet të arrijë tek në muajin tetor.

Observatori i Prishtinës ka qenë funksional edhe më herët gjatë viteve 1977 dhe 1988, por që atëherë, ai nuk ishte funksionalizuar më. Ndërtesa e tij, e cila është pjesë e Pallatit të Rinisë ishte shfrytëzuar për punë të ndryshme, por asnjëherë për atë që fillimisht ishte themeluar. Më vonë Klubi i Astronomëve Amatorë të Kosovës apo “Astronomy Club of Kosova”, i cili është klubi i parë i shkencës dhe astronomisë në Kosovë, i ishte përveshur punës për ta rikthyer Observatorin.