Oda e Mjekëve ndalimin e dr. Hotit e quan “veprim spektakolar” nga Hetuesia e Komuna

Oda e Mjekëve ndalimin e dr. Hotit e quan “veprim spektakolar” nga Hetuesia e Komuna – Lajmet e fundit



Mbrëmë në media u paraqit një video, ku shihej një mjek në QKMF-në e Podujevës teksa refuzonte t’i trajtonte disa pacientë me arsyetimin se e kishte përfunduar orarin e punës.

Me të parë këto pamje drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Podujevës, Driton Veliu, njoftoi për suspendimin e dr. Ibrahim Hotit, ndërsa më pas nga Prokuroria Themelore e Kosovës u njoftua se i njëjti është ndaluar për 48 orë nën dyshimin se kryer veprën penale “Mosdhënia e ndihmës mjekësore”.

E sot pati shumë reagime të sindikatave shëndetësore për veprimin e forcave të rendit ndaj dr. Hotit.

Edhe Oda e Mjekëve e Kosovës thotë se e ka ndjekur me shqetësim ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në Qendrën e Mjekësisë Familjare në qytetin e Podujevës.

Me këtë rast OMK-ja vlerëson se anëtarit të saj dr. Ibrahim Hotit i është bërë padrejtësi “duke e suspenduar nga vendi i punës dhe duke e arrestuar pa iu dhënë mundësia e sqarimit dhe pa u zhvilluar hetime paraprake dhe të nevojshme dhe pa vërtetuar se a janë respektuar protokollet mjekësore gjatë trajtimit të pacientit në fjalë”.

“Ky veprim i padrejtë i institucioneve të sundimit të ligjit ka bërë që me qindra pacientë të mbesin në kohë pandemie pa marrë shërbime dhe trajtim specifik në këtë kohë pandemie”, thotë OMK-ja.

Kjo Odë u bën thirrje autoriteteve të Hetuesisë dhe nivelit komunal të Komunës së Podujevës që “para se të ndërmarrin veprime spektakolare duke arrestuar një mjek pa respektuar procedurat verifikuese mbi respektimin e protokolleve mjekësore, të bëjë lirimin e menjëhershëm të dr. Hotit deri në verifikimin e rastit, përndryshe neve si përfaqësues të Komunitetit të Mjekëve, edhe në kushte pandemie, do të detyrohemi për ndërmarrjen e masave sipas legjislacionit në fuqi”.

“OMK-ja qëndron fort prapa zbatimit të ligjeve dhe Kodit të Deontologjisë Mjekësore, por edhe në ngritjen e zërit dhe ndërmarrjen e veprimeve në mbrojtjen e komunitetit në rast të ndërmarrjes së masave arbitrare dhe denigruese ndaj kolegëve tanë”, përfundoi reagimi i Odës së Mjekëve të Kosovës.