OECD: Europa do të jetë më e goditura nga ngadalësimi ekonomik global

OECD: Europa do të jetë më e goditura nga ngadalësimi ekonomik global

Ekonomia globale duhet të shmangë një recesion vitin e ardhshëm, por kriza më e rëndë energjetike që nga vitet 1970 do të shkaktojë një ngadalësim të madh ekonomik, ku Europa do të jetë kontinenti i goditur më shumë, ka deklaruar OECD të martën, ndërsa u ka kërkuar bankave qendrore që të vazhdojnë rritjen e normave të interesit.

Rritja ekonomike botërore pritet të ngadalësohet nga 3.1% që është këtë vit në 2.2% gjatë vitit të ardhshëm, përpara se të rritet në 2.7% në vitin 2024, tha Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, duke rritur në mënyrë margjinale parashikimin e saj për vitin 2022.

“Skenari ynë bazë nuk është një recesion global, por një ngadalësim i rëndësishëm i rritjes për ekonominë botërore në vitin 2023, si dhe vazhdimi i inflacionit të lartë, megjithëse në një trend rënës, në shumë vende,” tha kryeekonomisti i OECD, Alvaro Santos Pereira në raportin më të fundit të Economic Outlook, të publikuar nga kjo organizatë.

OECD tha se ngadalësimi ekonomik global po i godet vendet në një mënyrë jo të barabartë, ku Europa po mban peshën kryesore pasi lufta e Rusisë në Ukrainë ka goditur aktivitetin e bizneseve dhe ka nxitur rritjen e çmimeve të energjisë.

Organizata parashikoi se ekonomia e eurozonës do të ngadalësohej nga rritja prej 3.3% këtë vit në vetëm 0.5% gjatë vitit 2023, përpara se të rimëkëmbet për t’u zgjeruar me 1.4% në vitin 2024. Këto shifra janë pak më të mira se në perspektivën e fundit të OECD të publikuar në shtator, ku vlerësohej se rritja për këtë vit do të ishte 3.1%, ndërsa për vitin 2023 ajo do të shkonte në nivelin 0.3%.

OECD parashikoi një rënie prej 0.3% vitin e ardhshëm në Gjermani, pasi ekonomia e këtij vendi, e orientuar më shumë nga industria, është shumë e varur nga eksportet e energjisë ruse. Ky parashikim ishte më pak negativ se rënia prej 0.7% që pritej në shtator.

Edhe në Europë, perspektivat ndryshuan, me ekonominë franceze, e cila është shumë më pak e varur nga energjia ruse, që pritet të rritet me 0.6% në vitin e ardhshëm. Italia u vlerësua se do të ketë një rritje prej 0.2%, që do të thotë se mund të ketë rënie ekonomike në disa prej tremujorëve.

Përtej eurozonës, ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar do të bjerë me 0.4% vitin e ardhshëm, ndërkohë që përballet me rritjen e normave të interesit, rritjen e çmimeve dhe besimin e dobët të investitorëve. Më parë, OECD priste një rritje prej 0.2% për Mbretërinë e Bashkuar.

Reuters Graphics

Ekonomia e Shteteve të Bashkuara do të ketë rezultate më të mira, me rritjen që pritet të reduktohet nga 1.8% këtë vit në 0.5% gjatë vitit 2023, përpara se të rritet në 1.0% në vitin 2024. OECD më parë priste një rritje prej vetëm 1.5% këtë vit në ekonominë më të madhe në botë, ndërsa vlerësimi i saj për vitin 2023 ka mbetur i pandryshuar.

Kina, e cila nuk është anëtare e OECD-së, është një nga ato pak ekonomi të mëdha që pritet të kenë një rritje vitin e ardhshëm pas një sërë izolimesh si rrjedhojë e COVID-19. Rritja ekonomike atje do të përmirësohet nga 3.3% këtë vit, në 4.6% gjatë vitit 2023 dhe 4.1% gjatë vitit 2024, krahasuar me parashikimet e mëparshme për një rritje prej 3.2% për vitin 2022 dhe 4.7% për vitin 2023.

Me çmimet e energjisë që ka të ngjarë të mbeten të larta, OECD deklaroi se bankat qendrore duhet të vazhdojnë të rrisin normat e interesit për të luftuar inflacionin. Organizata vërejti shenja se rritjet e hershme të normave në Brazil dhe në Shtetet e Bashkuara po japin rezultat në frenimin e inflacionit.

Megjithëse shumë qeveri kanë shpenzuar për të lehtësuar pasojat e inflacionit të lartë nëpërmjet kufizimeve të çmimeve të energjisë, uljet e taksave dhe shtimin e subvencioneve, OECD tha se kostoja e lartë nënkuptonte që mbështetjet e tilla do të duhej të ishin më të targetuara në të ardhmen./ Reuters