Osmani i thotë Maasit se Kosova është kundër “Ballkanit të Hapur”

Osmani i thotë Maasit se Kosova është kundër “Ballkanit të Hapur” – Lajmet e fundit



Presidentja Vjosa Osmani, i ka thënë kryediplomatit gjerman, Heiko Maas, se Kosova është kundër iniciativës së Ballkanit të Hapur të ndërmarrë nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Gjatë një takimi që Osmani e zhvilloi me Maasin në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Gjermani, tha se perspektiva e Kosovës është në BE dhe se Procesi i Berlinit është shtysë e fuqishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, duke përjashtuar çdo ide tjetër që synon të jetë paralele me zgjerimin e BE-së dhe më këtë proces.

Në këtë takim, Osmani, pasi i ka vlerësuar si të shkëlqyeshme marrëdhëniet mes dy vendeve, ka përmendur edhe synimin e Kosovës për anëtarësim në disa organizata ndërkombëtare, ndaj ka kërkuar mbështetjen gjermane.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për t’u bërë pjesë e BE-së, OKB-së, por edhe e shumë organizatave ndërkombëtare. Shpresoj që Gjermania të marrë në konsideratë rolin udhëheqës në mbështetjen tonë për të arritur këtë qëllim”, ka thënë Osmani.

Në takim është biseduar edhe për procesin e dialogut me Serbinë. Osmani edhe në këtë takim e ka potencuar se rezultati përfundimtar i negociatave duhet të jetë njohja reciproke dhe ruajtja e rregullimit aktual kushtetues në Kosovë, sikurse edhe e kufijve të tashëm, ndërsa shtoi se Kosova është palë konstruktive në këtë proces.

Osmani në takim me Massin ka potencuar se e mirëpret përfundimin e shpejtë të marrëveshjes dypalëshe për njohjen e patentshoferëve të Kosovës.

Ndërkaq sa i përket bashkëpunimit ekonomik, ajo ka përmendur marrëveshjen për transportin e mallrave, heqjen e taksimit të dyfishtë midis dy vendeve, si dhe organizimin e një forumi të përbashkët investimesh. /Zëri