Osmani nuk tregon a është pjesë e LDK-së, thotë se nuk është “pjesë e familjes politike të Thaçit”

Osmani nuk tregon a është pjesë e LDK-së, thotë se nuk është “pjesë e familjes politike të Thaçit” – Lajmet e fundit



Kryeparlamentarja Vjosa Osmani është deklaruar pas votimit të Qeverisë së re të udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Ajo tha se një qeveri, së cilës votat ia siguroi presidenti Thaçi dhe Lista Serbe, asnjëherë nuk do të jetë plotësuese e vullnetit të qytetarëve.

“Një qeveri e cila varet në tërësi nga votat e Listës Serbe dhe së cilës votën e 61 ia siguroi presidenti Thaçi, në kundërshtim me rolin e tij kushtetues, asnjëherë nuk mund të jetë plotësuese e vullnetit të qytetarëve”, tha Osmani.

E pyetur se a është ende pjesë e LDK-së, Osmani iu shmang përgjigjes direkte, duke thënë se “familja ime janë qytetarët e Kosovës” dhe se “asnjëherë nuk do të jem pjesë e familjes politike të Hashim Thaçit”, përcjell “Zeri.info”.

“Familja ime politike asnjëherë nuk ka qenë e as nuk do të jetë Hashim Thaçi, unë këtë ngatërrim nuk e kam bërë asnjëherë dhe nuk do ta bëj as tash e tutje. Familja ime janë qytetarët e Kosovës”, deklaroi ajo. /Zëri