Osmani përfundon vizitën dyditore në Estoni, e merr mbështetjen e tyre për rrugën euro-atlantike të Kosovës

Osmani përfundon vizitën dyditore në Estoni, e merr mbështetjen e tyre për rrugën euro-atlantike të Kosovës – Lajmet e fundit

Foto: ZPRK


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe delegacioni i bizneseve nga fusha e teknologjisë informative kanë përfunduar vizitën dyditore zyrtare në Estoni.

Bashkë me delegacionin, Osmani e ka vizituar e-Estonia Briefing Center, Qytetin Kreativ Telliskivi dhe Qendrën Pipedrive.

Në një njoftim për media nga Presidenca thuhet se gjatë vizitës në të tri këto qendra digjitale, Osmani ka përgëzuar kompanitë estoneze për transformimin digjital dhe shpirtin inovativ.

Ajo ka theksuar se me ekipin e bizneseve nga kompanitë digjitale të Estonisë kanë parë gatishmërinë për ta ndihmuar Kosovën në këtë sferë.

Më tej, Shefja e shtetit e ka shfaqur besimin se një transformim i tillë digjital është i mundshëm edhe në Kosovë duke marrë përvojën nga Estonia.

“Këto tri qendra digjitale kanë shfaqur gatishmërinë që me kompani të fushës së njëjtë në Kosovë të vendosin bashkëpunim me idenë për realizimin e projekteve konkrete”, thuhet në njoftim.

Gjatë qëndrimit dyditor në Estoni, Osmani është pritur nga presidentja, Kersti Kaljulaid, kryetari i Parlamentit, Jüri Ratas, kryeministrja Kaja Kallas, ministren e Jashtme Eva Maria Liimec, sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme, Jonatan Vseivov, si dhe kryesuesin e Komitetit për çështje evropiane, Siim Kallas.

Nga të gjithë krerët shtetërorë të Estonisë, Osmani e ka marrë mbështetjen për rrugën euro-atlantike të Kosovës, por edhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare./Zëri