Osmani takohet me Stoltenbergun, flasin për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Osmani takohet me Stoltenbergun, flasin për anëtarësimin e Kosovës në NATO – Lajmet e fundit



Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe zv.kryeminsitrja janë takuar me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg.

Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që NATO-ja i ka dhënë Kosovës dhe ka theksuar se qëllimi strategjik i Kosovës mebetet anëtarësimi në këtë aleancë.

“Presidentja Osmani në takim me shefin e NATO-s, tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO do të kontribuojë në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe e cilësoi anëtarësimin në këtë organizatë, prioritet shtetëror të Kosovës, si një parakusht për sigurimin e paqes në rajon, ashtu edhe për promovimin dhe mbrojtjen e vlerave të përbashkëta”, thuhet në komunikatë.

Osmani më tej ka theksuar se këtij hapi duhet t’i paraprijë përfshirja e Kosovës në Partneritetin për Paqe. Në këtë kontekst, e përmendi faktin se Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila po zhvillohet në përputhje me standardet e NATO-s, do t’ia mundësojë Kosovës një rol aktiv në kuadër të sigurisë rajonale dhe globale.

“Sa i përket agresionit të Rusisë në Ukrainë, Presidentja Osmani tha se Kosova ka dënuar luftën e paprovokuar të Putinit kundër Ukrainës dhe se është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së kundër Rusisë. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka theksuar nevojën e bashkërendimit të shteteve demokratike në rajon me NATO-n për të siguruar një mjedis të sigurt dhe për të ndaluar veprimet destabilizuese të Rusisë dhe satelitëve të saj”, thuhet ndër të tjera. /Zëri