Pa tender të hapur, Ministria e Aliut dhe e Durmishit ia jep një kompanie mbi 85 mijë euro tjera nga buxheti i shtetit

Pa tender të hapur, Ministria e Aliut dhe e Durmishit ia jep një kompanie mbi 85 mijë euro tjera nga buxheti i shtetit – Lajmet e fundit



Tenderë të mbyllur, përmes procedurës së negocimit, po vazhdohen të jepen në Ministrinë e Infrastrukturës, e drejtuar nga Liburn Aliu e zëvendësi i tij Hysen Durmishi, të Lëvizjes Vetëvendosje. Së fundi, mbi 85 mijë euro tender në mënyrë njëburimore, kjo Ministri i ka parapara t’ia japë kompanisë NNT “A.B.C.”, për asfaltim të rrugëve në Kamenicë.

Vetëm një javë pasi grupi i operatorëve ekonomik “Velkom KS SH.P.K.”; “AE Consulting, Inc.”, fitoi kontratë pa tender, në vlerë 226 mijë euro për zgjatjen e pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Ministria e Infrastrukturës i ka paraparë t’i shpërndajë mbi 85 mijë Euro tjera nga buxheti shtetit tek një operator tjetër ekonomik, përmes procedurës së negocimit.

Fjala është për N.N.T. “A.B.C.”, në pronësi të biznesmenit nga Podujeva, Arben Jetullahu, e cila ka fituar kontratë 85.040,29 Euro nga Ministria e Infrastrukturës për asfaltimin e rrugëve në Kamenicë, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.

E krejt kjo është bërë në mënyrë burimore, pa tender të hapur, përmes procedurës së negocimit, sikurse janë dhënë në muajt e fundit edhe një mori tenderësh tjerë nga kjo ministri që drejtohet nga dyshja e VV-së, Liburn Aliut Ministër, e Hysen Durmishi Zëvendësministër.

Data e përgatitjes së njoftimit për dhënien e kontratës në fjalë është 23 korrik 2021.

Derisa, edhe ky tender i mbyllur është prokuroruar nga Nexhat Krasniqi, shefi i dënuar për korrupsion i prokurorimit në MI, që njëherësh është edhe personi kontaktues i Ministrisë së Aliut e Durmishit. Derisa, 26 korriku 2021 sipas dokumentit rezulton të ketë qenë data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës me N.N.T. “A.B.C.”, shkruan Reporteri.net.

“Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues në bazë të neni 108/A te ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092 ne adresën e specifikuar ne Nenin I te këtij Njoftimi për dhënie te kontratës”, thuhet si informatë plotësuese në dokument.

Ndryshe, Ligji për Prokurim Publik, e specifikon se procedurat e negociuara, si në rastin e këtij tenderi, aplikohet në rrethana të veçanta ku autoriteti kontraktues fton dhe këshillohet me operatorët ekonomik të zgjedhur nga ai për t’i negociuar kushtet e kontratës me njërin ose më shumë prej tyre.

Ndërsa, procedurë e hapur nënkupton procedurat e prokurimit që i lejojnë çdo operatori të interesuar ekonomik të paraqet tender e t’i hyj garës për të fituar atë.

Në Ministrinë e Infrastrukturës, sipas raportimeve të mediave, prej kur drejtohet nga Ministri Liburn Aliu e zëvendësi i tij Hysen Durmishi janë shpërndarë mbi 5 milionë Euro përmes tenderëve të dhënë pa procedura të hapura.

Kjo kontratë e nënshkruar para gati dy javësh, në procedurë të mbyllur negocimi, i është dhënë grupit të operatorëve ekonomik “Velkom KS SH.P.K.”; “AE Consulting, Inc.”./reporteri.net