Palestina falënderon Erdoganin që i bëri presion Kosovës të mos e hapë ambasadën në Jerusalem

Palestina falënderon Erdoganin që i bëri presion Kosovës të mos e hapë ambasadën në Jerusalem – Lajmet e fundit



Presidenti i Autoritetit palestinez, Mahmoud Abbas, e ka falënderuar homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan, për kërkesën që ua ka bërë Kosovës dhe Serbisë për të mos i hapur ambasadat e tyre në Jerusalem.

Mediat e citojnë agjencinë palestineze të lajmeve WAFA për këtë raport.

Thuhet se dy homologët e kanë zhvilluar një bisedë telefonike për, siç thuhet, t’i dhënë mbështetje Erdogani “përpjekjeve të brendshme palestineze për pajtim” dhe “planeve për zgjedhje”.

“Abbasi e falënderoi homologun e tij turk për kontaktet që i bëri me presidentët e Serbisë dhe të Kosovës duke insistuar nga ata që të mos i hapin ambasadat apo zyrat në Jerusalem”, thotë raporti i WAFA-s, transmeton Zeri.info.

Më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë, Kosova dhe Serbia u pajtuan me SHBA-në në disa pika që çojnë në normalizim ekonomik mes dy vendeve. Veç pikave për ekonomi, në dokumentin e nënshkruar nga kryeministri Hoti thuhej që Kosova dhe Izraeli e njohin njëri-tjetrin, ndërkaq, në këmbim të saj, Kosova zotohej se do ta hapte ambasadën e saj në Jerusalem. Zotim të njëjtë bëri edhe Serbia.

Kjo çështje kishte zemëruar Turqinë. Ministria turke e Punëve të Jashtme, përmes një deklarate, e kishte quajtur këtë si hap zhgënjyes dhe shkelje e ligjit ndërkombëtar.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i telefonoi menjëherë presidentit turk, për t’ia sqaruar rëndësinë e njohjes së shtetësisë së Kosovës nga Izraeli.

“Një njohje e tillë nuk do të shkelë në asnjë rrethanë partneritetin strategjik, miqësor dhe vëllazëror me Turqinë”, kishte thënë Thaçi pas bisedës.

Veç kësaj telefonate, Thaçi, ditë më parë shkoi edhe në Stamboll ku u takua me Erdoganin./Zëri