Featured Image

Pamje prekëse pas tragjedisë – zbarzet plazhi, vendoset një kukull aty ku u vra 7-vjeçarja

Gazetarja Esmeralda Keta, ka publikuar sot në mengjes pamje të trishta nga bregdeti i Potamit, ku dje, një polic vrau një 7-vjeçare me skaf, shkruan Gazeta Shekulli.

Keta, e cila ishte e pranishme, ndërsa pushonte bashkë me fëmijët, afër vendit ku ndodhi tragjedia e familjes Avdia që kishte ardhur një ditë më parë me pushime nga Kanadaja, postoi disa foto që tregojnë plazhin pa pushues, ku është vënë një tufë me lule dhe ku ende kanë mbetur sendet e familjes së përgjakur: një kukull e vajzës, kapelja dhe rrobat e prindërve ende mbi shezlong.

 ‘Mëngjes i trishtë sot në Potam… Një kukull që pret vajzën e vogël të luajë me të, një lule për lulejetën e re që nuk e mbrojtëm dot, rrobat e familjarëve ende mbi shezlonë dhe plazhi krejtësisht i braktisur… Ikën të gjithë, ikën të shpëtojnë fëmijët e tyre, sepse nuk ditëm t’u krijojmë një vend të sigurtë. Sot të gjithë jemi fajtorë, e pafajshmja u bë engjëll.’- shkruan gazetarja.