Pandemia rrezikon ta mbyllë kafenenë ku studentët u takuan për gati gjysmë shekulli

Pandemia rrezikon ta mbyllë kafenenë ku studentët u takuan për gati gjysmë shekulli – Lajmet e fundit


Foto: Laura Hasani


Image

Kafeneja “Aktash bar”, në rrugën “Agim Ramadani”, prapa Kampusit Universitar të UP-së, nga viti 1976 ka qenë vendtakim i studentëve. Por, traditën 44-vjeçare ka mundësi që studentët e rinj nga muaji tetor nuk do të mund ta shijojnë. Kjo për shkak të krizës ekonomike që ka prekur gastronominë nga përhapja e pandemisë COVID-19.

Erdogan Rexhepi, bashkëpronar i kafenesë, për “Zërin” thotë se është detyruar të hyjë në borxh në mënyrë që të mos mbetet pa i paguar obligimet e biznesit. Me një punëtor më pak për shkak të pandemisë, ai lut Komunën e Prishtinës që t’i lirojë nga pagesa e qirasë. Nëse jo të gjithë shumën, të paktën një pjesë.

“Me vështirësi po ia dalim muajit. Unë paguaj 450 euro qira në muaj. Nëse është e mundur të na lirojnë qiratë – nëse jo komplet, të paktën 50% deri në muajin dhjetor. Ende kam borxhe në qira, ujë, rrymë e shumë shpenzime të tjera. Mund të them se përmbi një mijë euro jam borxh. Nëse nuk ndërmerret diçka, pas 44 vjetëve rrezikoj me e mbyll lokalin. Nuk është ka shkon mirë. I lutem Shpend Ahmetit si kryetar i joni të na ndihmojë”, thotë Rexhepi për “Zërin”.

Ahmeti: Qiraxhinjtë e NPB-së mund t’i lirojmë nga pagesa e qirasë

Se gjendja ekonomike është e vështirë në këtë kohë, pajtohet edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Duke kritikuar Qeverinë se nuk po e aktivizon Pakon Emergjente Fiskale dhe Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike, Ahmeti thotë se qirapaguesit e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), ndoshta do të lirohen tërësisht nga qiratë.

“Nuk e di çfarë prioriteti tjetër ka për partitë politike sasa me u marrë vesh për paketën ekonomike. Këto për çka po flasim, për NPB-në, për qira, janë sene tepër të vogla, këto në fund ndoshta i lirojmë qysh i kemi liruar për dy muajt e kaluar”, ka deklaruar ai në “Radio Prishtina”.

Lajmërime si, “Jemi në pushime”, “Lokali jepet me qira” ose “Renovim”, shihen të vendosura në shumë lokale në rrugën “Agim Ramadani”, diçka që viteve të kaluara nuk ka ndodhur.

Në një segment diku 150 metra përgjatë kësaj rruge gjenden 7 lokale të tilla. Kushtrim Smajlaj, është detyruar ta mbyllë “Fast Food”-in për shkak të pandemisë. Edhe ai shpreson se Komuna e Prishtinës do t’i lirojë nga qiratë.

“Ne varemi nga studentët edhe kjo ka ndikuar njëkohësisht bashkë me qiratë. Me çka kam dëgjuar, në Gjakovë, Deçan edhe në Prizren deri në janar i kanë hequr komplet qiratë për qiramarrësit e NPB-së. Mirëpo jo edhe në Prishtinë. Po shpresoj që Komuna e Prishtinës na ka parasysh për qiratë”, thotë ai.

Punëtorët ende në pritje të pagave nga Pakoja emergjente

Por këta nuk janë të vetmit hallexhi në këtë pjesë. Nezir Gashi, menaxher i kafenesë “Pri coffee”, thotë se qarkullimi në këtë biznes është përgjysmuar pas pandemisë.

Përpos kërkesës për lirim nga qiraja, Gashi pret ndihmë edhe nga Qeveria. Deri më tani ai thotë se tre punëtorë të tij kanë marrë vetëm nga një pagë 170 euro nga qeveria.

“Pas pandemisë qarkullimi ditor në këtë lokal ka qenë për 100% më i vogël. Në këtë ka ndikuar pandemia por edhe mungesa e studentëve. Deri më tani vetëm një pagë 170 euro për tre punëtorë e kemi marrë. Ne nuk po mund ta përballojmë këtë shumë. Deri në muajin shtator mendoj me vazhdua me humbje. Nëse nuk ndihmon shteti, s’ka mënyrë tjetër. Nëse nuk kthehen nxënësit nga muaji shtator dhe nuk marrim ndihmë nga Komuna e Prishtinës dhe Qeveria e Kosovës, nuk e di se çka do të bëjmë”, deklaron ai, raporton “Zëri”.

Pakoja emergjente dhe ajo e rimëkëmbjes, peng të rishikimit të buxhetit

Hykmete Bajrami, ministre e Financave thotë se kjo ministri i ka siguruar burimet financiare për implementimin e të gjitha masave të pakos paraprake dhe për masat e reja për rimëkëmbje ekonomike. Por sipas saj, këto mjete financiare mund të shpenzohen vetëm pasi të kalojë rishikimi i Buxhetit, transmeton Zëri.

“Implementimi i masave është peng i votimit të rishikimit të Ligjit të Buxhetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ndërsa në momentin kur kalon rishikimi i Buxhetit në Kuvend, përgjegjësia është te Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit për masat në mbështetje të sektorit privat dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për masën numër 15”, deklaron Bajrami.

Ajo thotë se për aprovim të aplikacioneve për të gjitha masat që kanë të bëjnë me masat për sektorin privat është komisioni ndërinstitucional, i cili e ka përfunduar punën e tij në plotësi.

“Është Ministria e Ekonomisë dhe e Ambientit ajo që e bënë aprovimin final të listave. Puna e Ministrisë së Financave është vetëm kërkesa për ekzekutim e cila Thesarit i merr vetëm disa orë për ekzekutim”, deklaron ministrja Bajrami. A Instituti “Riinvest” ka publikuar një hulumtim, në të cilin është nxjerrë përfundimi se për shkak të pandemisë COVID-19, 35 kompani me peshë, thuajse në të gjithë sektorët, kanë ndërprerë ose shtyrë investimet në një rang nga 50,000 – 4,000,000 euro, përcjell Zëri. Në raport thuhet se Covid-19 ka goditur rëndë kompanitë kosovare duke reduktuar shitjet (përpos tregtisë) nga 10 % deri në 90% në periudhën mars – 18 maj. Përjashto këtu akomodimin në hotele dhe gastronomi, ku goditja ka qenë me ndërprerje të punës. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2018, në sektorin e gastronomisë punojnë rreth 14,000 qytetarë në 3,683 biznese të regjistruara. Kjo përbën rreth 8% e të punësuarve në Kosovë. /Zëri

Image