Pandemia shtyn për një afat të pacaktuar shfaqjen e “Nomadland” në Kosovë

Pandemia shtyn për një afat të pacaktuar shfaqjen e “Nomadland” në Kosovë

Kinematë në vend – njëlloj si e gjithë industria e filmit në botë – janë duke u përballur me ndryshime të vazhdueshme sa i përket lansimit të filmave. Kjo ka prekur edhe kinematë në Kosovë. Drama mbi “nomadët amerikanë”, që u shpërblye trefish në “Oscar” – me çmimin e filmit më të mirë, për regjinë më të mirë dhe për aktoren më të mirë kryesore – këtë javë nuk do të shfaqet në Kosovë. Gjithçka ka ndryshuar në momentet e fundit. Kështu kanë treguar edhe menaxhuesit e kinemave kryesore në vend. Projekti nën regji të Chloé Zhaos është në listën “To be decided” (për t’u vendosur) sa i përket distribuimit dhe shfaqjes në kinematë e Kosovës.

Rrjeti i kinemave “Cineplexx” pati vendosur që “Nomadlandin” ta sillte më 13 maj. Për të njëjtin pati nisur edhe reklamimin nëpër rrjete sociale e platforma të tjera reklamuese që shfrytëzohen nga rrjeti. Në anën tjetër, “Kino ABC” dhe “DokuKino” patën treguar për “KOHËN” se janë duke shikuar për mundësi që edhe ata ta sjellin të njëjtin film. Mirëpo, të enjten, ekipi i “Cineplexxit” në Kosovë ishte njoftuar se shfaqja e filmit është shtyrë.

“Para pak çastesh e kemi pranuar listën e re të filmave që përditësohet çdo javë dhe filmi ‘Nomadland’ është shtyrë sërish, kësaj radhe për një afat të pacaktuar dhe mund të mos shfaqet fare më”, pati thënë për “KOHËN”, Artan Ramadani, menaxher i marketingut në “Cineplexx”.

Sipas tij, duke marrë parasysh sukseset e filmit në arenën ndërkombëtare, ata e kishin parë si të arsyeshme që filmin “Nomadland” t’ia ofrojnë edhe publikut në Kosovë, me gjithë sfidat që u paraqitën së fundmi me distribuimin global të filmave.

E, të dielën, ka thënë se “Nomadland” tashmë ka lëvizur në pjesën e filmave që gjenden në kategorinë “To be decided” (për t’u vendosur) dhe nuk ka data se kur do të shfaqet, por njëkohësisht as nuk është larguar përfundimisht.

“Unë nuk mund ta di nëse distributori do ta sjellë këtë film më vonë apo jo, por meqenëse nuk është shfaqur deri më tani dhe me kalimin e kohës bëhet më jorelevant për publikun, me mbarimin e çmimeve ‘Oscar’, dyshoj që do të shfaqet në vazhdim”, ka thënë ai.

Ramadani ka treguar se shkaku i pandemisë shfaqen vazhdimisht ndërrime të tilla dhe disa madje në momente të fundit, si rasti me “Nomadland”.

“Më vjen keq që s’mund të kem diçka më konkrete, tregu për momentin është labil, sepse është bërë sfiduese edhe për kompanitë distribuese e gjithë kjo për shkak të pandemisë”, ka thënë ai, duke theksuar se tani për tani kanë filluar me shfaqjen e filmit “Wrath of Man” nën regji të Guy Ritchie dhe filmit “Way Down” nën regji të Jaume Balagueró.

Filmbërësja 39-vjeçare e lindur në Pekin, Chloé Zhao, është bërë gruaja e para aziatike që fiton një “Oscar” për regjinë më të mirë. Drama në kohëzgjatje prej 108 minutash i solli Chloé Zhaos trofeun e regjisores më të mirë, ashtu sikurse aktores 63-vjeçare të këtij filmi, Frances McDormand (në rolin e Fernit), çmimin e aktores më të mirë kryesore.

“Nomadland” është rrëfim vivid që lidh bashkë fatin e brezit të viteve ‘60 e ‘70, në Amerikë, e ardhmja ekonomike e të cilit u copëzua për shkak të krizës së vitit 2008. Të gjendur përballë varfërisë dhe duke e pasur të vështirë që edhe të tërhiqen, por edhe të punojnë, bëhen pjesë e një “fisi” të ri në Amerikë. Bredharakët që janë në fokus të filmit e kalojnë jetën nga një shtet në një tjetër me minibusë, që në fakt janë edhe streha e tyre për të fjetur.

Drama është e bazuar në librin e Jessica Bruder të vitit 2017 me titullin “Nomadland: Surviving America in the Twenty-First Century”. Filmi ndjek jetën e gruas me emrin Fern, që pak kohë pasi humb burrin e saj, e humb edhe punën. Ferni, në të gjashtëdhjetat e saj, vendos t’i shesë gjërat dhe ta marrë një minibus për të udhëtuar përgjatë Amerikës në kërkim të një pune. Gjatë udhëtimit të saj takohet me disa nomadë që ia mësojnë aftësitë bazike për të mbijetuar dhe për të pasur pavarësi.

Nora Fetoshi, zëdhënëse për media në “DokuKino”, ka thënë se sjellja e dramës “Nomadland” varet më shumë prej distributorit. Sidoqoftë, ka theksuar se ata janë të interesuar për ta sjellë të njëjtin në kinemanë e tyre. Njëlloj ka thënë edhe Avni Dobraj nga “Kino ABC”.

“Kinemaja kishte pranuar ofertën për ta shfaqur këtë film, por tani mbetet për të parë se çfarë do të vendosë distributori”, ka thënë ai.

Për njohës të kinematografisë, “Nomadland” është një vlerë e pakrahasueshme që do të ndikojë në kultivimin e shijes së publikut kudo në botë. Një përzgjedhje e duhur, sipas tyre, për publikun në Kosovë, që di t’i vlerësojë filmat me vlerë artistike, e jo vetëm filmat komercialë.

Regjisori Isa Qosja kishte thënë për “KOHËN” se “ka kaluar koha kur në sallat e kinemasë kërkohej që të shikoheshin vetëm hite kinematografike.”

“Natyrisht që do të doja që këta filma të mos mbanin vetëm vulën e ‘Oscarit’, por të jenë edhe filma që arrijnë t’i konfigurojnë vlerat e tyre artistike nëpër festivale të ndryshme. Filma nga Evropa apo vende të tjera. Është në përparësi të theksuar filmi amerikan apo anglez në krahasim me filmat e vendeve të tjera, por të mos harrojmë se filmi intelektual prodhohet kryesisht në Evropë”, kishte thënë ai.

Sipas tij, “Nomadland” është film që duhet ta shohin të gjithë, jo pse ishte në “Oscars”, por për shkak të temës dhe mesazhit. “Edhe tema edhe mesazhi i këtij filmi përkojnë me vlera universale, qoftë në nivel të përmbajtjes, qoftë në kuptim të mesazhit”, ka thënë ai. Ka shtuar se kinematë në vend duhet t’i japin përkushtim të merituar filmit të së vërtetës.

Në edicionin e 93-të me radhë të “Academy Awards”, “Nomadland” ka fituar “Oscarin” në kategorinë e filmit më të mirë – në një garë me rivalë seriozë si: “The Father”, “Judas and the Black Messiah”, “Mank”, “Minari”, “Promising Young Woman”, “Sound of Metal” dhe goxha të favorizuarin në parashikime “The Trial of the Chicago 7”.