Pandemia testohet me 5 mijë veta në koncertin e Liverpoolit

Pandemia testohet me 5 mijë veta në koncertin e Liverpoolit

(The Guardian) – Një ndër koncertet e para “pothuajse normale” që nga fillimi i pandemisë, është mbajtur në Liverpool të dielën, ku rreth 5 mijë adhurues të muzikës ishin grumbulluar në një tendë festivali pa maska ​​dhe pa distancime fizike.

Të gjithë kishin rënë dakord të shërbejnë si mostër për një test të shkencëtarëve ku do të studiohet siguria për të marrë pjesë në ngjarje masive si pjesë e një programi hulumtues të Qeverisë. Një test se ata janë negativë me Covid ishte kusht për hyrje. Pjesëmarrësve edhe një test i tillë PCR do t’u kërkohet edhe të premten, “në mënyrë që festivalet të mund të vazhdojnë këtë verë”.

Grupi “Blossoms” ishte në qendër të koncertit që krijoi përshtypjen e një mini-festivali euforik. Kishte bare që shisnin pije “Strongbow” në gota letre, radhë të gjata para tualeteve dhe të rinj jashtëzakonisht të entuziazmuar që mezi besonin se u është dhënë mundësia që të jenë jashtë shtëpisë e në grupe të mëdha pa ua ndaluar këtë policia, për shkak të “rregullës së gjashtë”.

“Ne jemi në ekstazë”, ka thënë Tom Plummer, 19-vjeçar, një student i kimisë i cili kishte veshur këmisha havajane që të përshtatej me miqtë e tij. “Unë me shumë qejf do të jem një mostër testimi për Boris [Johnson] një ditë”.

Brenda çadrës në ekrane shkëlqenin mesazhet që urdhëronin festuesit që të “jenë të sjellshëm: nëse dikush dëshiron pak hapësirë, jepjani hapësirën”. Në një tjetër shkruhej: “Është në rregull nëse dëshironi që ta bëni atë”. Pothuajse askush nuk e bëri. Ata ishin shumë të zënë duke shijuar mundësinë që të shfaqnin mjekrën – ose buzëkuqin – për herë të parë para një turme që nga fillimi i pandemisë që duket se ka zgjatur në pafundësi.

Kishte shumë përqafime, shumë britma dhe “selfie” për të dokumentuar këtë mbrëmje – nëse guxojmë të themi? – historike e post-pandemike.

Të gjithë ishin shumë të lumtur që më në fund ishin jashtë, saqë edhe bendet shoqëruese u pritën si alamet yje. “Një hap për mashtruesit …”, filloi këngën Zuzu. Gjersa u prit me duartrokitje masive ajo tha: “O zot, kur ju shoh, më vjen të qaj”.

Ishte një natë emocionuese. Në kohën kur “Blossoms” u ngjit në skenë, djemtë po dhuronin puthje e vajzat me bikini lëkundeshin në shpatullat e të dashurve të tyre.

Këngëtari Tom Ogden premtoi: “Natën më të mirë që keni përjetuar për një kohë shumë, shumë të gjatë”. Fjali e zakonshme, mbase, por njëkohësisht e vërtetë: një mbrëmje e djersitur, e gëzueshme, e egër për t’u ngjitur pranë të huajve duke kënduar të njëjtën melodi.

Shumë nga vizitorët e koncertit ishin studentë të vitit të parë në universitetet e Liverpoolit, shumica e të cilëve ishin përballur me Covidin në rininë e tyre dhe janë ndier të mashtruar nga jeta universitare.

“Unë kurrë nuk kam qenë kurrë në një klub, kurrë”, ka thënë Jade Webber, 19-vjeçare, që studion fizioterapi. Ajo ishte jashtëzakonisht e ngazëllyer që ishte në koncert dhe e kishte kaluar këto dy javë duke mësuar të gjitha tekstet e të grupeve që do të performonin, për të përfituar sa më shumë nga kjo përvojë. Përveç, Zuzu-së dhe “Blossoms” në koncert ishte edhe “Lathums”.

Tim West, 19-vjeç, që studion veterinarinë, ka thënë se karantinimi kishte qenë i ashpër për të rinjtë, të cilët rrezikojnë më pak të sëmuren rëndë dhe janë në fund të listës për të marrë vaksinë. “A ia vlen karantina karshi vrasjes së kënaqësisë për të gjithë?”, ka pyetur ai.

Ky ishte koncerti i parë për “Blossoms” që nga 15 marsi i vitit të kaluar, tetë ditë para se Boris Johnson ta vendoste Mbretërinë e Bashkuar në një karantinën e atëhershme.

Pesë anëtarët e grupit kishin menduar se nuk do të përfundonin për disa muaj. Por më vonë u është thënë se mund të kalojnë 18 muaj pa pasur mundësinë që të luajnë përsëri. Sidoqoftë, ata tani shpresojnë që së paku të mund të ndjekin tani festivale për të promovuar albumin e tyre “Foolish Loving Spaces”. Në fund ka kaluar më shumë se një vit që kur ata dolën përsëri në skenë për atë që grupi e quajti “një nder i madh”.

Në koncert mund të merrnin pjesë të gjithë ata që ishin mbi 18 vjeç dhe u duhej të regjistroheshin te një mjek i përgjithshëm në rajonin e qytetit të Liverpoolit për të marrë pjesë. Kontraktorët nga jashtë zonës, përfshirë gazetarët, u desh të bënin teste aty për aty në “Zoom” të shtunën në mënyrë që të fitonin akreditim.

Koncerti ishte më i madhi që u pa në Mbretërinë e Bashkuar qëkur Covid goditi marsin e kaluar dhe është pjesë e një programi testues ku përfshihen klubet e natës, ndeshjet e futbollit dhe turnet.

Duke mbyllur natën përpara pesë mijë njerëzish të lumtur, këngëtari Ogden përmblodhi momentin. “Ishte një vit shkatërrues”, ka thënë ai, “por ky koncert ishte një rreze kolosale e diellit”.