Paraburgim ndaj personit që mori 10,000 euro nga babë e bir për t

Paraburgim ndaj personit që mori 10,000 euro nga babë e bir për t’i punësuar në KEK dhe PTK – Lajmet e fundit



Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Xh.P., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “mashtrimi”.

Gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri nga data 13.11.2020 deri më 12.02.2021 në vende të ndryshme duke vepruar në vazhdimësi dhe në bashkëveprim me të dyshuarin D.R. i cili gjendet në arrati, përmes paraqitjes së rreme të fakteve dhe me veprime mashtruese duke u paraqitur si persona me ndikim dhe si truproje të ministrit si dhe si menaxher të KEK-ut, i premtojnë të dëmtuarit L.G. se do ta punësojnë atë dhe djalin e tij në KEK apo në PTK dhe në këtë mënyrë e vënë në lajthim të dëmtuarin duke e nxitur që të veprojë në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që i njëjti ua paguan shumën e tërësishme prej 10,000 euro në emër të punësimit në KEK..

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij. /Zëri