Ilir Deda

Pas Gashit, edhe Deda largohet nga FER-i

Njëri ndër themeluesit e partisë Fryma e Re (FER), Ilir Deda, ka dhënë dorëheqje. Përmes një komunikate për medie, të hënën në mbrëmje, Deda ka bërë me dije se tërheqja e tij nga FER-i ka të bëjë me mos-zhvillimin e idesë në të cilën është krijuar kjo parti.

“Sonte e njoftova Këshillin Drejtues të Partisë Fryma e Re për tërheqjen time nga FER-i. Pavarësisht rezultateve të zgjedhjeve të cilat tani gëzojnë legalitet, por jo edhe legjitimitet, Partia FER ka pasur obligim politik dhe publik të veprojë në përputhje me përgjegjësinë e saj ndaj qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Deda përmend një deklarate.

“Me keqardhje deklaroj se ideja për çfarë edhe është krijuar FER-i është zbehur dhe, si njëri nga bashkëthemeluesit e saj, jap dorëheqje të parevokueshme prej Këshillit Drejtues dhe anëtarësisë, si akt mospajtimi me gjendjen e tanishme brenda partisë. Me këtë rast e shpreh falënderimin tim më të sinqertë të gjithë votuesve dhe përkrahësve të FER-it”, ka thënë ndër të tjera Deda.

Të hënën paradite, Qëndrim Gashi, përmes një konference për medie, bëri të ditur largimin e tij nga partia FER, e cila garoi në zgjedhjet e fundit të përgjithshme në Kosovë, mirëpo nuk arriti ta kalonte pragun zgjedhor prej 5 për qind.