Pas problemeve me rrymë, rikthehen shërbimet shëndetësore në lagjen Dardania të Gjilanit

Pas problemeve me rrymë, rikthehen shërbimet shëndetësore në lagjen Dardania të Gjilanit – Lajmet e fundit



Në orët e mbrëmjes së të martës, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka vizituar Qendrën e Mjekësisë Familjare Dardania, ku ka konfirmuar se problemi i trafostacionit tashmë është zgjidhur dhe ekipet mjekësore kanë filluar punën e rregullt aty.

“Në këtë kohë të vështirë, të gjithë qytetarët që kanë nevojë për shërbime mjekësore e sidomos në këtë kohë të gripit sezonal, mund të marrin shërbime mjekësore. Është mirë që tashti janë shtuar edhe dhomat e kontrollit e që në katin e parë janë dy të tilla dhe se ka një dhomë të veçantë për fëmijë”, ka thënë kryetari Hyseni, në një konferencë për media të orës 20:00, që ka shtuar se edhe ai vetë kishte sjellë vajzën e tij për kontroll në këtë qendër.

Sipas Hyenit, numri i të sëmurëve me grip sezonal është rritur tej mase, por i njëjti thotë se do të arrihet që të tejkalohet edhe kjo gjendje.

Drejtoresha e QKMF-së, Arbenita Hajdari, ka falënderuar kryetarin Hyseni për angazhimin dhe ka shtuar se këtu ofrohet një numër i madh i shërbimeve, duke nisur nga vaksinimi anti-COVID, vaksinimi i zakonshëm, ndihma e shpejtë e shërbimet të tjera.

Ajo ka shtuar se falë punës së punëtorëve të KEDS-it dhe të kryetarit të komunës, qendra është rikthyer dhe po jep shërbime shëndetësore për nevojat e qytetarëve. /Zëri