Pas Thaçit, Erdogani takon edhe Vuçiqin në Stamboll

Pas Thaçit, Erdogani takon edhe Vuçiqin në Stamboll – Lajmet e fundit



Në një javë, presidenti turk ka pritur në Stamboll, fillimisht presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, e sot edhe atë serb, Aleksandar Vuçiq.

Krejt kjo si duket pas nënshkrimit të marrëveshjes për normalizim ekonomik mes Kosovës e Serbisë në Washington, ku si pikë ishte përfshirë edhe hapja e ambasadave të këtyre dy vendeve në Jerusalem.

Kjo pikë ka shqetësuar Turqinë, meqenëse ky vend konsideron se Izraeli e ka pushtuar atë pjesë të Jerusalemit nga Palestina. Shteti turk, përmes Ministrisë së Jashtme, kishte reaguar menjëherë pas publikimit të lajmit për hapjen e ambasadave në Jerusalem.

Ndërkaq, presidenti serb, në takimin me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se Serbia dëshiron t’i zhvillojë edhe më tej raportet miqësore me Turqinë në të ardhmen.

“Me Turqinë ne dëshirojmë t’i mbajmë raportet tona më të mira dhe t’i zhvillojmë edhe më tej raportet miqësore në të ardhmen”, ka deklaruar Vuçiqi, transmeton Zeri.info.

Ai tha po ashtu se Turqia ka ndikim të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor, ndërsa shtoi se komunikimi mes dy vendeve është i shkëlqyeshëm.

Dy krerët shtetërorë diskutuan edhe për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Dëgjova qëndrimin e Erdoganit në këtë çështje dhe ia sqarova qëndrimin tonë. Ai e trajton Serbinë me respekt”, deklaroi Vuçiqi, raporton agjencia shtetërore turke e lajmeve Anadoly.

Në fillim të kësaj jave, Thaçi i shkoi në vizitë Erdoganit, mirëpo nuk u tha të jetë diskutuar për çështjen e hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Mirëpo, raportimi i agjencisë shtetërore turke të lajmeve për takimin e sotëm Erdogan-Vuçiq, përmend çështjen e ambasadave.

Pjesë e marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë ishte edhe njohja reciproke mes Kosovës dhe Izraelit.