“Paso Doble” në shoqërinë e tjetërsuar nga invazioni i teknologjisë

“Paso Doble” në shoqërinë e tjetërsuar nga invazioni i teknologjisë

Një shfaqje me karakter ndërgjegjësues për adoleshentët, por edhe të rriturit në epokën e teknologjisë dhe të informacionit, është prezantuar të martën mbrëma në kuadër të natës së tretë të festivalit ndërkombëtar të teatrit në ambient të hapur – “Prizrenfest”. Në skenën e vendosur në kopshtin e kinemasë “Lumbardhi” është paraqitur trupa e teatrit “Anton Pann” nga Rumania, me shfaqjen “Paso Doble” (Hap i dyfishtë) nga autori Cristi Nedelcu, nën regji të Constatin Florescu.

Artistët nga Rumania me performancën e tyre janë përpjekur që ta vënë në pah ndikimin e bullizmit në internet tek adoleshentët, sikurse edhe mënyrat për të luftuar kundër zhvillimit dhe promovimit të këtij fenomeni, që po fiton terren gjithnjë e më shumë.

Shfaqja është historia e një takimi midis Amalias, një studente e psikologjisë dhe Lucias, një grua e re e shtruar në një sanatorium psikiatrik. Amalia realizon një hulumtim për personat me prirje vetëvrasëse. Përgjatë rrjedhës së studimit të saj, ajo takohet me Lucian, e cila është shtrirë në sanatorium pasi ka pasur një tentativë vetëvrasjeje të shkaktuar nga fakti se ajo kishte qenë viktimë e një fushate bullizmi. Lucia e ka ndërmarrë këtë hap, pasi disa fotografi të pahijshme të saja janë shpërndarë nga një moshatar i saj, në rrjete sociale.

Ky takim mes Amalias dhe Lucias shërben si një mundësi, që secila prej tyre të shtrojë pyetje për jetën, për marrëdhëniet me prindërit, për shoqërinë dhe për kuptimin e ekzistencës.

Teksa Amalia përpiqet që të kuptojë se çfarë qëndron prapa rastit të Lucias, ajo përfundon duke vënë në dilemë zgjedhjet e saja. Në anën tjetër Lucia, tek Amalia gjen një partner për dialog. Me të mund ta hulumtojë dhe ta kuptojë jetën e vet.

Në këtë formë është shpalosur shfaqja, që flet zgjedhjet, që bën njeriu i sotëm, për presionin e një shoqërie gjithnjë e më të tjetërsuar.

Aktorja Teodora Colt, që ka interpretuar rolin e Amalias para audiencës në Prizren, ka theksuar se tema, që shtjellohet në këtë dramë është e rëndësishme për të rinjtë dhe për shoqërinë në përgjithësi, meqë lehtëson kuptimin e cenueshmërisë për individët.

“Sepse është shumë aktuale, shumë të rinj e adoleshentë, jo vetëm, e përjetojnë këtë në përditshmëri dhe ngurrojnë që të flasin për këtë fenomen. Në Rumani ne e shfaqim dramën dhe pastaj organizojmë diskutime, ku ata flasin mjaft hapur, sepse është e vështirë për ta që të tregojnë për gjërat që ndodhin në jetët e tyre, meqë mendojnë se janë të dobët. Ajo çka po përpiqemi në të bëjmë është që t’u themi njerëzve se të jesh i cenueshëm është në rregull, sepse kjo tregon se ke shpirt”, ka thënë ajo.

Sipas saj përvoja e shpalosjes së kësaj historie në Prizren ka qenë e veçantë, me porosinë që interneti të përdoret me kujdesin e duhur.

“Ishte mahnitëse, sepse kjo temë është aq e përgjithshme, në Kosovë, në Rumani, gjithkund adoleshentët dhe njerëzit përjetojnë një gjë të tillë, meqë kemi një çmenduri me gjithë këtë internet. Është mirë që kemi internet, mund të komunikojmë, por duhet të jemi të kujdesshëm meqë mund të ndodhin edhe shumë gjëra të këqija”, ka deklaruar Colt.

Ndërsa paraqitja në ambient të hapur ka qenë një ndjenjë e papërjetuar më parë për aktorët e kësaj performance.

“Ishte me të vërtetë entuziazmuese, sepse patëm nevojë që ta adaptojmë performancën tonë. Zakonisht e kemi shfaqur në ambiente të mbyllura, dhe këtu ishte shumë bukur, mendoj se ia arritëm me sukses. Reagimi i publikut ishte mahnitës për ne, të gjithë e kuptuan lojën dhe ishte me të vërtetë e këndshme”, është shprehur Colt.

“Paso Doble” (Hap i dyfishtë) është shfaqja e pestë e prezantuar në edicionin e parë të “Prizrenfestit”.