PDK-ja kritikon Kurtin se po u ik përgjegjësive urgjente që i ka Kosova

PDK-ja kritikon Kurtin se po u ik përgjegjësive urgjente që i ka Kosova – Lajmet e fundit

Foto: Laura Hasani


Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka mbajtur sot një konferencë për media në oborrin e Kuvendit të Kosovës, ku ka shprehur shqetësimin për, siç ka thënë ai, ikjen e kryeministrit Albin Kurti nga përgjegjësitë urgjente që ka Kosova.

Tahiri tha se kryeministri i Kosovës në vend që të merret me pandeminë dhe ekonominë e rrënuar prej saj, ai e ka izoluar Kosovën dhe vetë ka shkuar në Shqipëri për të marrë pjesë në fushata zgjedhore.

Ai e ka quajtur këtë mungesë përgjegjësie, mungesë aftësie dhe mungesë njohurie.

“Fatkeqësisht, vetëm në 20 ditët e fundit, 212 qytetarë kanë humbur jetën në betejë me virusin. Përveç një ndihme të vogël, Qeveria nuk ka siguruar asnjë vaksinë. E vetmja gjë që kryeministri Kurti ka ndërmarrë deri më tash ka qenë një urdhër për izolim për qytetarët e Kosovës, përderisa ministrat dhe deputetët e partisë së tij kanë çarë rrethimin dhe kanë dalë në Shqipëri për të bërë fushatë zgjedhore.

Kryeministri Kurti është vaksinuar vetë dhe ai ndihet komod me faktin se i ka pranuar 25 mijë vaksina donacion – një ndihmë kjo e siguruar nga Qeveria e kaluar, por nuk ka bërë asnjë hap për të siguruar edhe qindra mijëra vaksina të tjera që u duhen më shumë se kurrë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Më tej ai tha se situata me pandeminë në vend është renduar dhe që nga dita kur Albin Kurti është bërë kryeministër në Kosovë janë shënuar 14 mijë e 986 raste dhe 212 qytetarë kanë humbur jetën në betejë me virusin. /Zëri