Pence refuzon amendamentin e 25-të. Demokratët, të “etur” për të shkarkuar Trump pak ditë para tranzicionit

Pence refuzon amendamentin e 25-të. Demokratët, të “etur” për të shkarkuar Trump pak ditë para tranzicionit

Zv/Presidenti Mike Pence tha se nuk do të heqë presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump nga detyra, pak pasi dhoma e Përfaqësuesve kaloi një rezolutë, që i bën thirrje atij dhe kabinetit për të aktivizuar amendamentin e 25-të.  Dhoma e kryesuar nga demokratët kaloi rezolutën për të nxjerrë Trump nga Shtëpia e Bardhë, pasi nxiti një protestë vdekjeprurëse në ndërtesën e Kongresit javën e kaluar.

Dhoma e kaloi masën me 223 pro dhe 205 kundër, me një republikan që e mbështeti dhe të gjithë demokratët që ishin pro.  Kryetarja e dhomës, Nancy Pelosi, i kishte bërë thirrje Pence që të heqë Trump nga detyra. Ajo tha se nëse zv/presidenti nuk vepron, dhoma do të votojë për të dytën herë mbi shkarkimin e Trump, që është hera e parë në histori.  “Nuk mendoj që një rrjedhë e tillë e veprimeve është në interesin e Kombit tonë apo në përputhje me kushtetutën”- shkroi Pence mbi amendamentin e 25-të, në një letër ndaj Pelosi.

Pence tha se përdorimi i këtij procesi në këtë periudhë, do të krijonte një shembull negative, për shkak se amendamenti aplikohet në raste të paaftësive presidenciale.   “Energjia e administratës tonë është përqendruar në sigurimin e një tranzicioni të rregullt tek administrate e presidentit të zgjedhur Joe Biden”- shkroi Pence.  Zv/presidenti nuk përmendi specifikisht përpjekjen për shkarkim, por i bëri thirrje Kongresit që të shmangë veprime që do shtojnë ndasinë dhe urrejtjen në këtë periudhë.

Klevis Llaha / SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.