“Për shkak të pandemisë, turizmi është në pikën zero”

“Për shkak të pandemisë, turizmi është në pikën zero”

Me rastin e ditës botërore të turizmit është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet unionit të turizmit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, raporton Ekonomia Online, transmeton KultPlus.

Me këtë rast, u kërkua përkrahja institucionale, të cilët thanë se pandemia COVID-19 e ka dëmtuar shumë këtë sektor, por që shprehen bindjen se shumë shpejt do t’i kthehen normalitetit.

Kryetari i Unionit i Turizmit të Kosovës (UTK), Baki Hoti ka thënë se pandemia ka shkaktuar shumë dëme në sektorin e turizmit.

Mes tjerash ai ka thënë se turizmi nuk njeh kufi dhe duhet bashkëpunim më i thellë me Shqipërinë.

“Turizmi nuk njeh kufi dhe duhet të bashkohemi dhe kontribuojmë në turizmin e të dy vendeve. Pandemia këtë vite ka shkaktuar dëme në sektorin e turizmit dhe qysh nga marsi turizmi është në pikën zero dhe shpresoj që gradualisht ti kthehemi normalitetit”, ka thënë Hoti.

Madje ai ka kërkuar edhe përkrahjen e institucioneve të vendit, si dhe të votohet ligji për rimëkëmbjen ekonomike.

“Kërkohet një mbështetje institucionale siç e kanë bërë krejt shtetet dhe ne po e vërejmë që pakoje e parë për rimëkëmbje ende nuk ka kaluar dhe kjo ndikon shumë keq”, tha ai.

Nexhat Ramadani zëvendësministër i Tregtisë dhe Industrisë ka thënë se Kosova mund ta përdor turizmin për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Turizmi modern është i lidhur ngushtë me zhvillimin ekonomik, andaj edhe Kosova si shtetet në zhvillim mund të përdor turizmin për zhvillim ekonomik në tërësi. Ne e kemi të gatshëm draftin për ligjin e ri të turizmit ku përcaktohen rregullat bazë  të promovimit të turizmit në Kosovë”, tha Ramadani.

Lindita Cervadiku zyrtare nga komuna e Prishtinës në fushën e turizmit ka thënë se komuna e Prishtinës ka ndërmarr hapa konkret për rimëkëmbjen e turizmit.

“Pandemia ka ndikuar shumë keq edhe në komunën e Prishtinës. Kemi planifikuar shumë hapa për rimëkëmbjen e turizmit në Prishtinë”, u shpreh ajo.

Rrahman Kasa kryetar i unionit të turizmit të Shqipërisë ka thënë se turizmi është bërë industri që po sjellë shumë të ardhura. Madje ai kërkoi që të ulët TVSH-ja në Kosovë siç është në Shqipëri.

“Turizmi sot është bërë një industri që po sjell shumë të ardhura dhe në Shqipëri turizmi është sektori i dytë. Shpresoj që të arrihen kërkesat e turizmit të Kosovës dhe realizohet ulja e TVSH prej 8 për qind në Kosovë është shumë mirë, kurse ne në Shqipëria e kemi 6%”, tha ai./ekonomiaonline/ KultPlus.com