“Përtej” në rikthim me rezistencën e artit të Kosovës në Beograd

“Përtej” në rikthim me rezistencën e artit të Kosovës në Beograd

Duke ndjekur rrathët e gjelbër që “Manifesta 14” i ka vendosur nëpër rrugët e Prishtinës si udhëzues se ku gjenden vendet në të cilat është ndërhyrë, nëse ndiqet njëri shteg nga Muzeu Kombëtar i Kosovës, destinacioni është “Galerinë 17”. Aty ka zënë vend “Përtej” e artistëve Maksut Vezgishi, Mehmet Behluli dhe Ilir Bajri.

Por, kjo ekspozitë është dokumentim i ekspozitës me po të njëjtin titull, e cila për herë të parë ishte hapur në Qendrën e Dekontaminimit Kulturor, më 5 qershor 1997 në Beograd. Rikthehet në zanafillë, pas çerekshekullit.

Duke pasur si qëllim rikthimin e një ekspozite, e cila kishte bërë jo pak bujë në Kosovë e në Serbi, “Fondacioni 17”, në kuadër të “Manifesta 14”, ka vendosur që të sjellë së paku disa pjesë të ekspozitës, e cila po zhvillohet në kuadër të temës “Archiving transition”.

“Kjo ekspozitë nisi si dëshirë dhe ide nga vetë kuratori i atëhershëm i ekspozitës, Shkëlzen Maliqi, duke qenë se në këtë vit bëhen 25 vjet prej kur ekspozita ‘Përtej’ ishte në Beograd, më 1997. Neve si ekip na u duk shumë e rëndësishme dhe ajo veçse është njëra nga temat e ‘Galerisë 17’”, ka shpjeguar Blerta Hoçia, asistent-kuratore në “Galeria 17” dhe bashkëkuratore e ekspozitës.

Hoçia ka thënë se ekspozita në një anë tregon edhe faktin se arti mund të shërbejë edhe si mjet bashkëpunimi midis dy shteteve.

“Meqenëse të gjithë e dimë kontekstin e viteve të 90-a. Pikërisht pas ekspozitës, disa muaj më vonë filluan sulmet ndaj civilëve, prandaj kishim dëshirë që në njëfarë mënyre ta dokumentonim jo vetëm guximin e artistëve dhe të kuratorit për ta bërë një ekspozitë në Beograd, por edhe faktin se ata treguan se ka disa linja ku mund të zhvillohet një dialog, edhe në ato kushte”, ka thënë ai.

Sipas saj, “nuk është i gjithë Beogradi ai që bën sulme”. “Por, janë edhe disa, si të themi, flluska ku bashkëndihej me tjetrin dhe me atë çfarë po ndodhte në Kosovë”, ka thënë ajo. Dhe njëra nga këto flluska, sipas saj, është Qendra për Dekontaminimin Kulturor, e cila edhe sot vazhdon dhe është aktive.

Para hyrjes në ekspozitë, takimi i parë është ai me tingujt e muzikës, e cila e rikthen njëzetepesë vjet më parë, në një kohë lufte dhe në ditën kur ekspozita u hap në Beograd. Kjo muzikë ishte kompozuar nga jazz-muzikanti Ilir Bajri.

Kësisoj përveç dokumentimit, i cili pasqyron para publikut guximin e artistëve për t’u paraqitur atëherë në Beograd, ekspozita ka edhe një tjetër qëllim, i cili lidhet me atë se gjeneratat e reja duhet ta dinë se në Kosovë arti bashkëkohor kishte filluar mjaft herët, pavarësisht situatave në të cilën gjendej.

“Muzika është një gjë shumë e mirë për ta kuptuar se edhe në Kosovë në atë kohë bëhej art avangardë. Vetë artistët, në njëfarë forme, duke bërë një ekspozitë në Beograd, kanë siç duket edhe një dëshirë, për të treguar se në Kosovë po bëhet art bashkëkohor, njëjtë me atë çfarë bëhet me qendrat evropiane apo edhe në Beograd”, ka shpjeguar Hoçia.

Pra, sipas saj, gjeneratat e reja duhet ta njohin historinë dhe faktin se në Kosovë ka pasur art cilësor dhe bashkëkohor, qysh në vitet ’70 a ’80, e ndoshta edhe më herët.

“Dhe kjo është ajo çfarë ekspozita synon të bëjë, të dokumentojë një gjë fort të rëndësishme të së kaluarës”, ka thënë ajo.

Megjithatë jo shumë ka mbetur nga ekspozita origjinale. Nëpër muret e galerisë shihen skicat që Maksut Vezgishi i kishte bërë para se t’i krijonte pikturat që do të ishin pjesë e “Përtej” dhe disa pjesa të veprës së tij, të cilat sadopak dëshmonin për librat ideologjikë që ai i kishte lyer me zift. Ato ishin djegur gjatë luftës dhe nga një ekspozitë voluminoze me piktura e instalacione të ndryshme kishin mbetur shumë pak dëshmi. Këtë ekspozitë, më shumë audienca sot do të mundë ta kuptojë nëpërmjet ekranit, i cili shpalos momente nga hapja e ekspozitës në Beograd dhe disa faqe gazetash në të cilat shkruhej për të. Janë dokumente të asaj se si kjo ekspozitë ishte pritur në Beograd, por edhe në Kosovë.

Piktori Xhevdet Xhafa, profesor në Fakultetin e Arteve e më vonë edhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, e kishte kundërshtuar këtë ekspozitë dhe në një shkrim autorial në “Koha Ditore”, autorët e ekspozitës do t’i cilësonte “Artistë”, që janë ndarë nga “solidarizimi, uniteti i popullit shqiptar dhe si të parët që shitën ndërgjegjen”.

Ky kundërshtim nuk kishte mbetur me kaq, por kishte vazhduar duke u shndërruar në një polemike midis tij dhe artistit të njohur Sokol Beqiri, i cili atëherë e kishte përkrahur hapjen e kësaj ekspozite, ku paraqiteshin edhe veprat e tij.

Në anën tjetër, hapja e kësaj ekspozitë, sipas Fitore Isufi-Shukriut, artiste dhe drejtoreshë arti në “Galeria 17”, ka thënë se fakti që “Përtej” ishte hapur në atë kohë në Beograd, tregon se edhe atje, në atë kohë, kishte njerëz të cilët i kundërviheshin sistemit dhe që mendonin më ndryshe se të tjerët.

“Edhe qendra ku është mbajtur ekspozita, Qendra për Dekontaminim Kulturor, domethënë është vetë një qendër e cila ka një qëllim tjetër me politikat e larta të Qeverisë. Dhe në momentin që edhe ata atje janë një grusht njerëzish, e kanë përqafuar idenë sepse edhe ata kanë menduar ndryshe nga sistemi”, Isufi-Shukriu, duke shtuar se në njëfarë mënyrë të dyja palët kanë dashur ta bëjnë njëfarë rezistence.

Bashkëkuratorja e kësaj ekspozite, Isufi- Shukriu, ka shpjeguar edhe për atë se çfarë synon “Fondacion 17” të arrijë me “Archiving transition”.

“Ne kthehemi në një tregim para 25 vjetësh për të dëshmuar që edhe dikur ka pasur zëra të zhurmshëm, të pavarur nga sistemi, të cilët kanë vendosur në formë rebeluese të marrin pjesë në një ekspozitë në Beograd, në një kohë aspak të volitshme politike dhe sociale. Dhe është interesante sepse dikush i konsideron heronj e dikush tradhtarë, varësisht prej këndvështrimit apo, le të themi, prej petkut që dëshirojmë t’ua heqim”, ka shpjeguar ajo.

Por, ekspozita nuk mbaron në “Galeria 17”. Për t’i dëgjuar intervistat e Shkëlzen Maliqit, Maksut Vezgishit, Mehmet Behlulit e Ilir Bajrit, realizuar tash njëzet e pesë vjet pas hapjes së “Përtej”, vizitori duhet të zhvendoset në hotel “Grand”, në katin e parë.

Në këtë projekt të “Fondacionit 17” dhe me video e montazh të realizuar nga Leart Rama, kuratori i atëhershëm i ekspozitës, Shkëlzen Maliqi, thotë se sot kjo ekspozitë i duket e bukur dhe artistike.

“Në atë kohë më shumë kishte manifestime që ishin politike, kishte rezistencë për të treguar forcën tonë apo për të shprehur revoltën dhe nuk kishte art të vërtetë atje, sepse ishte më shumë për protestën, art të protestës. Por, kur reflektova më vonë, kuptova se ajo që po ndodhte nuk ishte vetëm arti i rezistencës, por edhe rezistenca e vetë artit, pra zhvillimi i artit brenda atyre kornizave ku ne jetonim”, ka thënë Maliqi. Aty shton se secili artist gjeti mënyra për t‘u përshtatur dhe për t’u zhvilluar dhe nga vitet ‘90 e deri më sot shohim një zhvillim të vrullshëm të artit brenda strukturës së vetë artistit.

Nga ekrani tjetër, artisti e arkitekti Maksut Vezgishi tregon se si atëherë në atë kohë ata nuk kishin arritur ta kuptonin se çfarë do të ndodhte.

“Në momentin kur ne e kemi përgatitur këtë ekspozitë, ne nuk e kemi ditur se çfarë do të ndodhë pas dy apo katër vjetësh më pas, as se si do të zhvillohen në një mënyrë të caktuar. Ndoshta dikush e dinte se çfarë po ndodhte, por njerëzit përreth meje jo”, thotë ai.

Më pas Vezgishi shpjegon se si ai nuk kishte arritur ta kuptonte këtë, pavarësisht faktit se ai punonte gazetar dhe se ishte ndër të parët që i merrte vesh të rejat.

“Kam punuar me shtypin dhe mbaj mend që të mërkurën do të merrnim materiale me postë. Para se të botohej gazeta, sepse të enjten shkonte për shtyp, gjithmonë shkoja për të kontrolluar materialin që ishte gati për t’u shtypur për herë të parë, se si do të dilte, por përsëri me siguri as ju nuk do ta dinit nëse e keqja do të ndodhte sot, pas dy vjetësh apo pas një kohe të caktuar. Ose thjesht përditshmëria jonë është e tillë, që ne besojmë se më e keqja nuk do të ndodhë sot, as nesër dhe një ditë tjetër, ajo ka kaluar”, thotë ai.

Sipas tij, “ndonjëherë koha, si regjia, vë në skenë një mizanskenë të gjallë të jetës”.

“Ishte një moment, ne ishim aty dhe gjithmonë lind pyetja nëse ai vendimi ynë ishte i drejtë. Nuk ishte një moment i lehtë, ne duhej të reflektonim gjithsesi. Fillimisht me veten dhe pastaj me tjetrin përreth”, thotë ai.

Ndërkaq bashkautori i kësaj ekspozite, Mehmet Behluli, profesor në Fakultetin e Arteve, në intervistën e dhënë për “Fondacionin 17”, shpjegon për mënyrën se si i kishte krijuar veprat e ekspozuara në “Përtej”.

“Nisa të punoja me instalacione në frymën e asaj kohe. Fillova të stimuloj luftën, përmbysjen, shkatërrimin, kataklizmin, quani si të doni. Teknikisht ishte ashtu siç përdorja libra ideologjikë dhe më pas i mbuloja me katran. Nuk e dija saktësisht se çfarë po bëja, por ekzistonte kjo nevojë e brendshme për art. Ishte momenti i duhur që gjëra të tilla të ekspozoheshin në Beograd, ku ne iu drejtuam regjimit me katranin tonë”, shpjegon ai. “Miqtë tanë në Beograd ose Soros e dinin shumë mirë se çfarë po përpiqeshim të bënim.”

Një intervistë është realizuar edhe me kompozitorin Ilir Bajri, që për ekspozitën e kishte kompozuar enkas pjesën muzikore.

“Nuk më mbetej gjë tjetër veçse të eksperimentoja, sepse nuk më ndihmuan referencat që kisha marrë gjatë shkollimit apo komunikimit me kolegët e mi të muzikës. Nuk mund të shkruaja muzikë për atë vepër, kishte një distancë të madhe mes nesh, ndoshta sa mes Prishtinës dhe Beogradit në atë kohë. Ishte fat për mua sepse ai eksperiment nuk kishte kufij”, dëgjohet ai duke thënë.

Më tutje, Bajri shpjegon edhe për elementet dhe objektet të cilat ai i kishte përdorur për të krijuar te dëgjuesi ndjenjën e luftës, në të cilën gjendeshin ata atëherë.

“Unë u përpoqa ta ilustroj atë përmes muzikës dhe përdora tingujt e ndryshëm sintetikë. Ne regjistronim tinguj nga goditjet dhe më pas i modifikuam në kompjuter në audio, u përpoqa ta ilustroja atë furçë me katran, që Mehmeti e përdori për të lyer librat e tij me tinguj të mprehtë”, shpjegon ai, duke përfunduar se “pjesa tjetër është e turbullt”. “Por e di që më ka pëlqyer shumë ajo punë”.

Ekspozita “Përtej” tash në një tjetër formë në Prishtinë do të qëndrojë e hapur deri më 30 tetor, atëherë kur do të mbyllet edhe “Manifesta 14”.