Përurohet memoriali për viktimat e tërmetit të 1979-s në Ulqin

Përurohet memoriali për viktimat e tërmetit të 1979-s në Ulqin

Të enjten në Ulqin është mbajtur ceremoniali i përurimit të memorialit të viktimave të tërmetit në Ulqin më 1979.

Ilir Capuni, kryetar i Asamblesë së Komunës së Ulqinit, ka theksuar se ky është gjest ndaj bashkëqytetarëve që kanë rënë viktima të katastrofës natyrore dhe me këtë rast ka theksuar se ndihma nga Kosova ishte e para që arriti në Ulqinin e shkatërruar.

Kryetari i komunës, Loro Ndrekiqi, ka theksuar se ata bashkëndiejnë me viktimat e tërmeteve në vendet fqinje, Shqipëri e Kroaci.

Përmendoren e përuruan, ambasadori i Kosovës, Ylber Hysa, dhe ai i Kroacisë, Veselko Grubjeshiq, para qytetarëve të Ulqinit dhe anëtarëve të familjes që kanë pësuar gjatë tërmetit.

Hysa ka thënë se Kosova do të qëndrojë gjithmonë pranë Ulqinit, sikurse më 1979 edhe tani. Atë kohë, si pasojë e tërmetit, kishte pësuar më së shumti Kalaja e Ulqinit. Edhe tash me rastin e vërshimeve, Kosova ka ndarë 10 mijë euro për sanimin e dëmeve të mureve të kalasë, simbol të qytetit.

“Kosova do rrijë pranë Ulqinit jo vetëm gjatë ditëve të vështira”, ka thënë Hysa.

Në anën tjetër, ambasadori kroat u falënderua për solidarizimin me vendin e tij pas tërmetit.

Përmendorja është ide dhe vepër e artistëve ulqinakë, Mentor Llunji, Sami Flamuri dhe Muhmed Muharremoviq e punuar nga guri vendor që simbolizon rilindjen.