Plani i BE-së për uljen e çmimeve të energjisë - Blerje të përbashkët për rezervat e gazit nga vendet anëtare. Masat prezantohen këtë javë

Plani i BE-së për uljen e çmimeve të energjisë – Blerje të përbashkët për rezervat e gazit nga vendet anëtare. Masat prezantohen këtë javë

Bashkimi Evropian pritet që gjatë kësaj jave të propozojë një sistem që do të lejonte shtetet anëtare që bashkërisht të blinin rezerva strategjike të gazi, një masë e hartuar nga blloku evropian në përgjigje të rritjes së çmimeve të energjisë. Sipas Agjencisë së lajmeve Reuters, shefja e BE-së për politika të energjisë, Kadri Simson, ka thënë se në këtë reformë do të përfshihet një kornizë që do të mundësojë prokurimin e përbashkët të rezervave strategjike të gazit. Në një dokument të KE-së, të cilin e ka parë agjencia Reuters, thuhet se çdo blerje e përbashkët e gazit midis shteteve, do të bëhet në mënyrë vullnetare.

Thënë thjesht, shtetet mund të blejnë bashkërisht gaz dhe të ndajnë me njëri-tjetrin rezervat e gazit. Spanja, Franca dhe shtetet e tjera që përkrahin këtë ide, kanë thënë se udhëzimet e përbashkëta për rezervat e gazit mund të “zbusin rritjen e çmimeve”, ndërkaq blerja e gazit në mënyrë të koordinuar mes shteteve, mund të rrisë fuqinë e tyre negociuese. Komisioni Evropian pritet që të bëjë publik detajet e planit të tij dhe shumë pyetje kanë nevojë të marrin përgjigje, përfshirë edhe atë se si shtetet do të kenë qasje në rezervat e gazit dhe implikimet që mund të kenë kompanitë që i zotërojnë ato rezerva.

Çdo rishikim i rregullave të BE-së kërkon që negocim nga vendet e BE-së dhe Parlamenti Evropian, një proces ky që mund të zgjasë me vite – megjithëse, kur bëhet fjalë për masa urgjente, ky proces mund të bëhet edhe më shpejt. Sivjet çmimet standarde të gazit me shumicë në Evropë u rritën më shumë se 500 për qind gjatë këtij viti, duke arritur nivele rekord në muajin tetor, pasi furnizimet e pakta me gaz përkuan edhe me kërkesën në rritje të ekonomive që po rimëkëmben nga pandemia e COVID-19.

Ola Mitre / SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.